Kërko

Papa në Ostia në Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit Papa në Ostia në Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit 

Papa në Ostia: Eukarestia është “prenotim” për Parajsë

Ashtu si Pali VI 50 vjet më parë, Papa Françesku kremtoi në Ostia, pranë Romës, meshën për Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Në përfundim, procesioni Eukarestik deri në famullinë e Zojës së Bonarias, si edhe bekimi apostolik. Në homeli, Papa kërkoi të kapërcehet frika dhe t’i hapen rrugët ligjit.

R.SH. - Vatikan

Eukarestia është “buka e së ardhmes”, e cila, që tani, na bën të shijojmë një “ardhmëri pafundësisht më të mirë edhe se pritshmëria më e lartë”. Shuan urinë e pritjes dhe ushqen ëndërrat më të bukura. Është peng, “paradhënie konkrete” e asaj, që do të dhurohet: me një fjalë, është “prenotim për Parajsë”. Plot kuptim e të thella, fjalët që Papa Françesku ia kushtoi Korpit e Gjakut të Krishtit në homeli. Të pranishëm, me gëzimin e tyre të papërmbajtur, rreth 10 mijë besimtarë, mbledhur në sheshin përballë famullisë së shën Monikës, në Ostia – vendi ku u kremtua mesha.

Jo më abuzime. T’i hapen rrugët ligjit

         Jezusi përgatit për ne vendin dhe ushqimin, kujtoi Papa, duke iu referuar fjalëve të Ungjillit të Darkës së Mbrame. E na kërkon edhe ne t’i përgatisim. Për ta bërë këtë, duhet të hyjmë në qytetet tona e Ostia të kujton pikërisht termin “hyrje”. Që këndej, ftesa e fuqishme për t’i hapur dyert, sepse – nënvizoi Ati i Shenjtë – “Jezusi dëshiron që të shemben muret e indiferencës e të heshtjes, të rrënohen gardhet e hekurta të abuzimeve dhe të prepotencës, të hapen udhët e drejtësisë, të hijeshisë e të ligjshmërisë”:

         Bregdeti i shtrirë i këtij qyteti të kujton bukurinë e hapjes e të daljes në detin e hapur të jetës. Por, për ta bërë këtë, duhet t’i zgjidhim ato nyje, që ankorojnë frikën dhe shtypjen. Eukarestia na fton ta lejojmë valën e Jezusit të na marrë me vete, të mos rrimë të ngujuar në breg, në pritje që të arrijë diçka, por të lundrojmë të lirë, të guximshëm, të bashkuar.

Jezusi përgatit për ne vendin dhe ushqimin

         Vendi, që na përgatit Jezu Krishti në këtë tokë, është Kisha, “ku - shpjegoi më pas Papa – ka e duhet të ketë hapësirë për të gjithë”. Vendi që na përgatit në qiell është Parajsa. Si ushqimi, si vendi, na jepen pikërisht në Eukaresti, e cila, nga njëra anë, lind e rilind Kishën dhe, nga ana tjetër, është Buka e qiellit, e vetmja mbi tokë, që ka shijen e amshimit.

Eukarestia na nxit të kalojmë nga “unë” tek “ti”

         Papa Françesku shpjegoi më pas, se Jezusi na kërkon edhe ne të përgatisim diçka, sidomos vendet, ku dashuria mbërrin pak e aspak. Kush nuk ka të hajë, kush është vetëm e vuan është “tabernakull i braktisur”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Për këta vëllezër më të brishtë duhet ta përgatisim ne “vendin dhe ushqimin”:

         Ai [Krishti] u bë bukë e thyer për ne; na kërkon t’u dhurohemi të tjerëve, të mos jetojmë vetëm për vete, por njëri për tjetrin. Kështu jetojmë në mënyrë eukarestike: duke reshur në botë dashurinë, që e marrim nga Korpi i Zotit. Në jetë, Eukarestia na bën të kalojmë nga ‘unë’ tek ‘ti’.

Të rizbulojmë adhurimin: asgjë nuk ngop si Eukarestia

         Vazhdimisht – vijoi Papa – kemi nevojë të ushqehemi me plane e afërsi njerëzore: komplimente, dhurata e teknologji, edhe ato më të avancuara, “nuk na ngopin kurrë plotësisht”, ndërsa Eukarestia është ushqimi i vetëm, që na ngop, sepse në të takojmë Jezusin dhe e ndjejmë dashurinë e Tij:

         E kur adhuron Jezusin në Eukaresti merr prej Tij Shpirtin Shenjt e gjen paqe e gëzim. Të dashur vëllezër e motra, le ta zgjedhim këtë ushqim për jetën: të vendosim në plan të parë meshën, të rizbulojmë adhurimin në bashkësitë tona! Të kërkojmë hirin për të qenë të uritur për Zotin, kurrë të ngopur kur marrim ç’ka përgatitur për ne.

04 qershor 2018, 12:38