Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: prindërit, bashkëpunëtorë të Zotit në shenjtëroren e jetës

Në Festën e Lindjes së Gjon Pagëzuesit, Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, reflektoi për jetën e foli për gjendjen shpirtërore, që të krijon feja: gëzim, mahnitje e mirënjohje. Përshëndeti, më pas Paraguain, ku dje u shpall e Lume Maria Felicia e Jezusit në Sakrament.

Në çdo njeri “është vula e Zotit, burim jete”. E kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot në të dielën e sotme, kur kremtohet festa e Lindjes së Gjon Pagëzuesit. Pikërisht duke rikujtuar ngjarjet, që lidhen me zënien dhe lindjen e Shenjtit, Françesku reflektoi mbi kuptimin e jetës e të fesë, për të vërejtur  se “në lindjen e fëmijës, prindërit veprojnë si bashkëpunëtorë të Zotit”.

Mision vërtet i lartë, që e bën çdo familje shenjtërore të jetës. Djep të lumnisë. Këngë, që rizgjon - në çdo lindje të një biri a të një bije - gëzim, mahnitje, mirënjohje.

Lindja, burim drite

Papa kujtoi se lindja e Shën Gjon Pagëzuesit ishte ngjarje e madhe, që ua shndriti jetën prindërve pleq, Elizabetës e Zakarisë, të cilët kishin pritur aq, sa tashmë kishin harruar të prisnin. Burri, madje, e kishte humbur fare besimin, mbasi ligjet natyrore nuk e lejonin, e ata tashmë ishin në moshë të shtyrë. Burri dyshonte! Prandaj Zoti  e  la pa fjalë. Mbeti pagojc gjatë gjithë kohës të pritjes së madhe. Kohës së hirit.

Po Zoti nuk varet nga logjikat tona e nga aftësitë tona të kufizuara njerëzore. Duhet të mësohemi të besojmë e të heshtim, përballë misterit të Zotit e ta kundrojmë  me përultësi e heshtje, veprën e  Tij, që dëftohet në histori e që shpesh herë ia kalon shumë edhe përfytyrimit tonë.

Zoti u dha hir

Elizabeta, siç na e kujton Ungjilli i Lukës, zgjedh emrin Gjon, që do të  “Zoti na e dha hirin”. E Gjoni, “si dhuratë e falur e tashmë  e papritur”, do të ishte kasnec, dëshmitar i hirit të Zotit për të varfërit, që presin me fe të përvuajtur shëlbimin. Zakaria e pranon “papritmas” zgjedhjen e këtij emri, duke e rifituar sakaq, ashtu si e kishte humbur, dhantinë e fjalës. “Nga ana tjetër - nënvizoi Françesku - e gjithë ngjarja e lindjes së Gjon Pagëzuesit rrethohet nga ndjenja gazmore e mahnitjes, e së papriturës, e mirënjohjes”.

Gëzim, mahnitje, befasim e mirënjohje

Populli besnik i Zotit e kupton menjëherë se kishte ndodhur diçka e madhe, edhe pse e përvuajtur dhe e fshehur. Prandaj është i aftë ta jetojë fenë me gëzim, me mahnitje, befasim e mirënjohje. Papa pyeti, atëhere, nëse edhe jona është fe gazmore, apo gjithnjë e njëllojtë, pa hove të mëdha? Nëse pushtohemi nga mahnitja, duke parë veprat e Zotit, duke dëgjuar kah flitet për ungjillëzimin a jetën e ndonjë shenjti, duke parë se akoma mes nesh ka shumë njerëz të mirë, apo mbetemi indiferentë përballë mrekullive të mëdha e të vogla që Zoti i bën çdo ditë para syve tonë. Që shohin e s’shohin! Prej këndej, Papa vijoi t’i pyesë besimtarët a mendojnë për hirin e Zotit? A e ndjejnë si gufon hiri në zemra, apo nuk u lëviz asgjë në kraharor, ku nuk ndjehet ngushëllimi i Shpirtit Shenjt?”.

Ta pyesim veten, secili prej nesh, duke e rrëmuar ndërgjegjen - ngulmoi Papa: “Si është  feja ime? E gatshme për t’u mahnitur para befasimeve të Zotit, sepse Zoti është Hyj i të papriturave? A e shijoj në shpirt mahnitjen, që ngjall prania e Zotit, e ndjenjën e mirënjohjes? T’i mendojmë këto fjalë, që janë vetë shpirti i fesë: gëzim, befasim, mahnitje e mirënjohje.

Lumnimi i Chiquitungës

Menjëherë pas lutjes mariane, Françesku kujtoi se dje, në Asuncion të Paraguait, u shpall e Lume Maria Felicia e Jezusit në Sakrament, në shekull, Maria Felicia Guggiari Echeverría, e thirrur familjarisht “Chiquitunga”. E Lumja jetoi në gjysmën e parë të shekullit XX. Jetë e ngarkuar me veprimtari. Hyri shpejt në Veprimin Katolik, u kujdes për pleqtë, të sëmurët, të burgosurit, duke ia kushtuar Zotit. Vdiq e re, vetëm 34 vjeçe, duke e pranuar sëmundjen e dhe vetë vdekjen  me qetësinë e njeriut, që është i sigurt se e pret një jetë më e mirë. Dëshmia së Lumes së re është ftesë për gjithë të rinjtë, posaçërisht për ata paraguaianë, që ta jetojnë jetën me bujari, butësi e gëzim. Ta përshëndesim “Chiquitungën”. E edhe mbarë popullin paraguaian, me një duartrokitje!

Kjo, në përfundim të lutjes, ftesa e Papës, së cilës Sheshi i Shën Pjetrit iu përgjigj menjëherë, stuhishëm!

 

24 qershor 2018, 14:50