Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi është “Biri i Zotit”

Në ditën kur Roma feston Pajtorët e qytetit, Shenjtorët Pjetër e Pal, Françesku kujtoi rolin e Papës së parë në formimin e identitetit të krishterë.

R. SH. - Vatikan

“Një gjë është të ndjekësh opinionin e përgjithshëm, e tjetër, të takohesh me Jezusin e ta hapësh zemrën për misterin e Tij: atje zbulohet e vërteta”. Këtë theksoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot me shtegtarët e besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, duke u folur nga dritarja e studios së tij, në Pallatin Apostolik.

Kush është Jezusi?

Papa u ndalua tek një episod, që e quajti “themelor për udhën tonë të fesë”, tek dialogu, gjatë të cilit Jezusi u drejton dishepujve pyetjen mbi identitetin e Tij. Në fillim i pyet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”. E më pas u kërkon drejtpërdrejt mendimin e tyre:  “Po ju, kush thoni se  jam unë?”.

Me këto dy pyetje - shpjegoi Papa - Jezusi duket sikur thotë se “opinini i përgjithshëm e ka brenda një të vërtetë, ndonëse të pjesshme. Pjetri, e me të Kisha  e djeshme, e sotme dhe e nesërme, pëgjigjet, duke thënë, për hir të Zotit, të vërtetën.

Jezusi është Biri i Zotit

Në rrjedhë shekujsh Jezusi u quajt profet i madh i drejtësisë dhe i dashurisë; mësues i urtë jete, revolucinar, ëndërrimtar, që shikon ëndrrat e Zotit. E, megjithtë, pyetja vijoi e vijon të përsëritet. Kush është Jezusi?

Jezusi është Biri I Zotit

Jezusi - sqaroi Françesku - është Biri i Zotit, prandaj është përherë i gjallë, ashtu si është i gjallë në amshim, Ati i Tij. E kjo është risia, që hiri e ndez në zemrën e hapur për misterin e Jezusit: siguria, jo matematike, por edhe më e fortë, shpirtërore, se kemi takuar Burimin e jetës, vetë jetës së mishëruar, të dukshme e të prekshme, mes nesh.

Premtimi i Jezusit

Duke kujtuar premtimin që i bën Jezusi Shën Pjetrit: “Ti je Pjetër - shkëmb -  e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time” - Papa kujtoi se ishte hera e parë që Jezusi shqipton fjalën Kishë: dhe e bën këtë me gjithë dashurinë  për atë, të cilën e quan “Kisha ime”. Prej këndej, buroi edhe lutja  përfundimtare e Papës, drejtuar Zotit,  që t’i japë Kishës, Romës dhe Botës mbarë, hirin të jetë gjithnjë besnike ndaj Ungjillit, për t’i shërbyer të cilit shenjtorët Pjetër e Pal dhuruan edhe jetën”.

 

 

29 qershor 2018, 13:28