Kërko

 Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: besim të patundur në veprimin e fuqishëm të Zotit!

Edhe kur duket se shuhet çdo shpresë, ta ruajmë besimin në Zotin e t’ia hapim bujarisht zemrën planeve të Tij. Kjo, ftesa e Papës drejtuar besimtarëve para lutjes mariane, duke komentuar Ungjillin e së Dielës XI të Kohës së zakonshme.

R. SH. Vatikan

Mbretëria e Zotit është si një farëz, që hidhet në tokë e pastaj mbin, rritet e prodhon kallëzin, pavarësisht nga kujdesi i bujkut; ose si një kokërrz senapi, që bëhet më e madhe se të gjitha bimët. E lexojmë këtë në shëmbëlltyrat e Ungjillit të sotëm sipas Markut e domethënien e tyre Papa e shpjegoi si mesazh shprese e besimi për njeriun e djeshëm e të sotëm.

Zoti shpëton gjithnjë

Puna e bujkut, që e hedh “farën” në tokë e pastaj, kur piqet, mendon për korrjen, nuk ka të bëjë fare me mbirjen dhe rritjen e kësaj fare të vogël. Shëmbëlltyra na dorëzon një mesazh: përmes predikimit dhe veprimit të Jezusit, Mbretëria e Zotit kumtohet, hidhet në arën e botës e, ashtu si fara, rritet e  zhvillohet vetvetiu, me forcën e vet e sipas kritereve të padëshifrueshme nga mendja njerëzore. Po – kujtoi në vijim Papa - ne jemi të thirrur t’i jetojmë si stinë prove e shprese,  çastet kur historia, me ngjarjet dhe protagonistët e saj, të duket sikur shkon në kundërshtim me planin e Atit Qiellor, i cili dëshiron për të gjithë bijtë vet drejtësi, vëllazëri, paqe.

Sepse si dje, ashtu edhe sot, Mbretëria e Zotit rritet në botë në mënyrë misterioze e mahnitëse, duke zbuluar fuqinë e fshehur të farës së vogël, gjallërinë e saj ngadhënjyese. Mbrenda kthesave të ngjarjeve personale e shoqërore, që nganjëherë duket sikur e shuajnë shpresën, duhet të vijojmë të besojmë në veprimin e ngadalshëm, por të pushtetshëm, të Atit. Prandaj, në çastet e errëta e të vështira, nuk duhet të dëshpërohemi, por të jemi gjithnjë besnikë të Zotit e të pranisë së Tij, që shpëton. Sepse Ai është Shpëtimitari!

Logjika e të papriturave të Zotit

Në shëmbëlltyrën e dytë Jezusi e krahason mbretërinë e Zotit me farëzën e senapit. Farë krejt e vogël, e pra që zhvillohet aq, sa bëhet më e madhe nga të gjithë drurët e kopshtit: rritje mahnitëse - e quajti Françesku - që duhet të mësohemi ta kuptojmë.

Nuk është aspak e lehtë të hyjmë në këtë logjikë të paparashikueshme të Zotit e ta pranojmë në jetën tonë. Po sot Zoti na nxit për një sjellje feje, që shkon përtej planeve tona, llogarive tona, parashikimeve tona. Eshtë ftesë - vijoi Papa - për t’i pranuar bujarisht planet e Zotit, si në jetën personale, ashtu edhe në atë të bashkësisë.  

Misioni i Kishës, jo suksesi, por përvujtëria dhe besimi

Në bashkësitë tona  duhet treguar vëmendje për rastet e vogla e të mëdha të së mirës, që na e ofron Zoti, duke ecur në udhën e Tij të dashurisë, mirëpritjes e  mëshirës për të gjithë.

Vërtetësia e misionit të Kishës nuk varet nga suksesi, as nga rezultatet, por nga ecja me guxim, besim e përvujtëri, duke e lëshuar krejtësisht vetveten në dorë të Zotit. Të shkojmë përpara në dëshmimin e Jezusit e me forcën e Shpirtit Shenjt. Për t’u bërë, kështu, të vetëdijshëm se jemi mjete të vogla e të ligshta që, në duart e Zotit e me hirin e Tij, mund të kryejnë vepra të mëdha, duke i dhënë shtytje përpara Mbretërisë Hyjnore, që është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt (Rom 14,17).

Virgjëra Mari na ndihmoftë të jemi të thjeshtë e të vëmendshëm, për të bashkëpunuar me fenë tonë e veprimtarinë tonë, në lulëzimin e Mbretërisë së Zotit ndër zemra e në histori.

Në Karakas një e Lume e re

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti popullin venezuelan, duke kujtuar se dje, në Karakas, u shpall e Lume Maria Carmen Rendiles Martinez, themeluese e motrave Siervas de Jesús de Venezuela: dishepulle besnike e Zotit, që, në shekullin e kaluar, së bashku me motrat e saj, shërbeu me dashuri në famullitë, shkollat dhe pranë njerëzve më nevojtarë. Ta lavdërojmë Zotin për këtë dishepulle besnike e t’ia besojmë ndërmjetësimit të saj lutjet tona për popullin venezuelan – theksoi Papa.

Më pas, përshndetjet përfundimtare drejtuar shtegtarëve të shumtë, të mbledhur nga mbarë Bota në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke iu drejtuar një grupi besimtarësh argjentinas, Françesku u kujtoi festën e sotme kombëtare, kushtuar baballarëve dhe i ftoi të gjithë të luten për etërit e tyre.

E, në fund, pas urimit “të gjithëve, të diel të gëzuar!” - edhe porosia, tashmë tradicionale: “Mos harroni të luteni për mua!”.

17 qershor 2018, 13:50