Kërko

Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk është padron, por Atë

Bibla i quan “Dhjetë Fjalët”, urdhërimet e besës së lidhur ndërmjet Zotit dhe njeriut e Papa, gjatë katekizmit të sotëm, shpjegoi edhe arsyen. Zoti hap me ne bisedë, nuk është tiran, flet fjalë dashurie, që të bëjnë të lirë.

R. SH. - Vatikan

Ishte katekizmi i dytë kushtuar Urdhërimeve të Tënzot, ky i audiencës së përgjithshme, që mbajti Papa sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku  nënvizoi se janë pjesë e një lidhjeje, asaj ndërmjet Zotit dhe popullit të Tij e se, në Bibël, Urdhërimet quhen ‘Fjalë’, dhjetë Fjalë, edhe pse kanë  formën e ligjit. Më pas shpjegoi edhe ndryshimin ndërmjet Fjalës e Urdhërit.

Zoti hap dialog me njeriun

“Urdhëri është komunikim, që nuk kërkon dialog - pohoi Papa - ndërsa fjala është mjet kryesor i marrëdhënies, parë si dialog.  “Dashuria ushqehet me fjalë - vijoi - e një gjë është të marrësh urdhër, e tjetër “të ndjesh se dikush kërkon të flasë me ne”. Figura e Zotit despot është pikërisht ajo, të cilën, që në zanafillë,  djalli bëri çmos t’ia ngulë mirë në kokë njeriut. Duke u përpjekur që ai ta besojë se fjala e dashurisë s’është tjetër, veçse urdhër.

Pikërisht kjo është sfida: norma e parë që i dha Zoti njeriut, është imponim i një despoti, i cili të ndalon e të detyron, apo është meraku i një ati, që kujdeset për të vegjlit e tij dhe i mbron nga vetëshkatërrimi? Më tragjikja, ndërmjet një mori gënjeshtrash, që gjarpëri ia përshpëriti në vesh Evës, është magjepsja pas natyrës hyjnore ziliqare e sunduese! Faktet dëshmojnë sa dramatik qe mashtrimi i djallit...

Pyetjet e Papës drejtuar besimtarëve në Shesh

Në vijim, Françesku i pyeti pjesëmarrësit në audiencë ç’mendojnë për Zotin: e shikojnë si padron, apo si Atë? E i nxiti edhe të përgjigjen, duke ua përsëritur pyetjen: ç’mendoni? Për të theksuar, më pas: “Zoti është atë, mos e harroni kurrë këtë. Kurrë! Edhe në situatat më tronditëse, mendoni se e keni një Atë, që ju do të gjithëve”. E akoma  “Ne e ndjejmë veten nënshtetas, apo bij?”.

Shpirti Shenjt është Shpirt i bijve, është Shpirti i Jezu Krishtit. Një shpirt skllavi nuk mund ta pranojë ligjin ndryshe, veçse duke e parë si forcë shtypëse, që ka si pasojë dy rezultate të kundërta: o një jetë të jetuar me detyra e detyrime, ose një marrëdhënie refuzimi të dhunshëm. I tërë krishterimi është kalim nga letra e Ligjit, tek Shpirti Shenjt, që jep jetë. Jezusi është Fjala e Atit, nuk është dënimi i Atit.  Jezusi erdhi të na shpëtojë me Fjalën e Tij, jo të na dënojë!

Kemi mendësi bijsh, apo skllevërish?

Ka të krishterë që arsyetojnë si bij, e të krishterë, që arsyetojnë si skllevër - kujtoi Papa - e të tjerët  e kuptojnë - shtoi - se “urdhërimet janë udhë drejt lirisë”:

Bota nuk ka nevojë për legalizma, por për kujdes. Ka nevojë  për të krishterë me zemër bijsh. Për të krishterë  me zemër bijsh - përsëriti Papa - për të porositur, më pas: “Mos e harroni kurrë këtë!”.

Përshëndetjet dhe lutja për të sëmurët

Para se të shkonte në Shesh, Ati i Shenjtë u takua, në Sallën e Palit VI, me grupe të ndryshme të sëmurësh e, posaçërisht, me të sëmurët e SLA, në prag të Ditës Botërore, që u kushtohet. Françesku i falënderoi për vizitën, i siguroi se lutet për ta e u kërkoi të luten për të. Më pas i përmendi edhe një herë, në fillim të katekizmit, duke kujtuar se po e ndiqnin audiencën përmes ekraneve të mëdhenj, për të formuar, kështu, një bashkësi të vetme me qindra shtegtarët, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, vezullues nën rrezet e diellit  të nxehtë veror.

20 qershor 2018, 14:35