Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
 Papa Françesku pret në audiencë Delegacionin e Kishës ungjillore luterane gjermane Papa Françesku pret në audiencë Delegacionin e Kishës ungjillore luterane gjermane 

Papa luteranëve: Shpirti Shenjt bashkoftë çka është ende e ndarë

Papa Françesku për dialogun luterano-katolik: “Disa tema, mendoj për Kishën, Eukaristinë dhe shërbesën kishtare, meritojnë reflektime të përpikta e të miratuara së bashku. Ekumenizmi kërkon edhe të mos jemi elitarë, por të tërheqim sa më shumë vëllezër e motra në fe”.

R. SH. Vatikan

Progresi i realizuar në udhën ekumenike dhe shpresat për zhvillimet e ardhshme  të dialogut luterano-katolik. Këto, problemet kryesore, që u prekën sot paradite nga Papa Françesku, në takimin me Delegacionin e Kishës ungjillore luterane gjermane. Si të krishterë, katolikë e luteranë - pohoi Papa - jemi të thirrur, mbi të gjitha, ta duam fort, me gjithë zemër, njëri-tjetrin. Por jemi të thirrur edhe - shtoi duke pasur parasysh atë që e quan “ekumenizmi i gjakut” - t’i lehtësojmë së bashku “ mjerimet e nevojtarëve dhe të të persekutuarve”:

“Vuajtjet e vëllezërve të shumtë të persekutuar për shkak të besimit në Jezusin, janë ftesë e ngutshme për të arritur unitetin gjithnjë më konkret e të dukshëm ndërmjet nesh”.

Bashkim në rritje

Ati i Shenjtë kujtoi, posaçërisht, caqet  e arritura në udhën e bashkimit. “Plot me mirënjohje ndaj Zotit - pohoi - mundëm të vërejmë se pesëqind vjet historie - nganjëherë shumë të dhimbshme, që na panë të kundërvënë e shpesh edhe në konflikt -  i  hapën udhën, në pesëdhjetë vjetët e fundit, bashkimit në rritje.

Udha e dialogut - nënvizoi Françesku - krijoi kushtet për të mbledhur fryte të begata ekumenike:

“Falë veprës së Shpirtit Shenjt, takimeve vëllazërore, gjesteve të përshkuara nga logjika e Ungjillit, më shumë sesa nga strategjitë njerëzore si dhe dialogut luterano-katolik, u bë e mundur të kapërcehen paragjykimet e vjetra nga ana e të dyja palëve.

Të ecim me durim, nën shikimin e Zotit

Ekumenizmi - nënvizoi Françesku - po bëhet gjithnjë e më shumë nevojë e dëshirë e do të vijojë të shënojë udhën tonë.  Për të uruar, më pas një ardhmëri  që çon drejt kapërcimit të plotë të divergjencave.

Të mos harrojmë se duhet të nisemi nga lutja, sepse nuk janë planet njerëzore, ato që tregojnë udhën, por Shpirti Shenjt: vetëm Ai hap udhën e ndriçon hapat, që duhen bërë.

Duhet të vijojmë të ecim në udhën e dialogut - vërejti Papa - jo duke vrapuar, por duke ecur së bashku me durim, nën shikimin e Zotit. Asnjë dialog ekumenik- nënvizoi së fundi Françesku - nuk mund të përparojë nëse rrimë shtang. Duhet lëvizur!

Së fundi, lutja: “Zbritët Shpirti Shenjt dhe e bashkoftë, çka është ende e ndarë”.

04 qershor 2018, 13:45