Kërko

Papa: kush na troket në portë, na bën të shikojmë Krishtin

Kremtohet sot, në mbarë botën, Dita e Refugjatit, themeluar nga Kombet e Bashkuara, për të sensibilizuar opinionin publik mbi dramën e miliona njerëzve në ikje nga dhuna e nga luftërat. Po kujtojmë ndërhyrjet më të rëndësishme të Papës, që sot i kujtoi refugjatët, të cilët i ka aq për zemër, me një tweet.

R. SH. - Vatikan

Shpresë, besim, vëllazëri: janë fjalët që Françesku i përsërit më shpesh, qysh nga fillimi i shërbesës së tij papnore, duke folur për dramën e refugjatëve dhe të shpërngulurve. “Takojmë vetë Krishtin në të varfërin, në të përjashtuarin, në refugjatin”. Të mos lejojmë që frika të na pengojë ta mirëpresim të afërmin nevojtar!” - shkruan Françesku, në tweetin e sotëm, kur mbarë njerëzimi kremton  Ditën Botërore  të Refugjatit, themeluar nga OKB-ja, për të mos e harruar dramën e më se 66 milionë njerëzve në mbarë botën, që detyrohen të lënë vendin e tyre, për të ikur nga luftërat, nga dhuna, nga mjerimi!

Mirëprit, mbro, promovo, integro!

Në mesazhin për Ditën botërore të emigrantit dhe të refugjatit 2018, Papa kujton se “çdo i huaj, që të troket në portë, është rast për të takuar Krishtin”. Vëmendja e Françeskut, më pas, përqendrohet mbi mikpritjen, duke kërkuar të favorizohen bashkimet familjare; mbi mbrojtjen, që të promovohen aksione për mbrojtjen e të të drejtave dhe të dinjitetit të emigratëve e refugjatëve; mbi nevojën për t’u krijuar refugjatëve kushtet e nevojshme, që të realizohen si njerëz e, së fundi të integrohen, për të fomuar një shoqëri, “e cila pasqyron dhuratat shumëformëshe të Zotit për njerëzit”.

Nga Lampeduza, në Lesbo, për t’i dëgjuar dramat e tyre

Në 5 vjetët e papnisë, Françesku e preku shpesh me dorë dramën e emigrantëve. Dëgjoi, në Lampeduzë, tregimet e atyre, që e vunë jetën në lojë, për të pasur një portë të hapur drejt së ardhmes. E po këtë e bëri edhe në Lesbo, ku teri shumë lot burrash e grash, larguar nga familjet e tyre. U ngjalli shpresat shumë prej tyre, duke u ofruar mundësitë për t’u rinisur sepse, siç u shpreh në audiencën e përgjithshme të 22 qershorit 2016, refugjatët  nuk janë të përjashtuar, por vëllezër. “I krishteri u bën vend të gjithëve, i lë të gjithë të vijnë!”.

 

20 qershor 2018, 13:47