Kërko

  Papa duke kremtuar Koncistorin për krijimin e 14 kardinajve të rinj Papa duke kremtuar Koncistorin për krijimin e 14 kardinajve të rinj 

Papa kardinajve të rinj: “T’ua lash këmbët të tjerëve, si Krishti, ky është më i larti titull”

Në koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e 14 kardinajve të rinj, Françesku i nxiti të rrinë larg zilive, intrigave të pallatit, edhe në kuriet kishtare. Synimi kryesor, thellimi i besnikërisë dhe i gatishmërisë për kryerjen e misionit, në shërbim të vëllezërve.

R. SH. - Vatikan

Sot u mbajt Koncistori i pestë i thirrur nga Françesku në këto pesë vjet papnie. Gjatë kremtimit të tij, u krijuan 14 kardinaj të rinj. Me krijimin e tyre, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 226 kardinaj: 125 zgjedhës e 101 jo zgjedhës. Ja edhe “portreti” i tyre: “nga zgjedhësit, 53 vijnë nga Evropa, 17 nga Amerika e Veriut, 5 nga Amerika Qendrore, 13 nga Amerika e Jugut, 16 nga Afrika, 17 nga Azia e 4 nga Oqeania”. Ndërmjet tyre, edhe një nga Shqipëria, kardinali i dytë i shqiptarëve, Hirësia e Tij Ernest Simoni Troshani, i pranishëm sot në kremtimin e koncistorit të pestë të Françeskut.

Njoftimin për krijimin e  kardinajve të rinj e dha vetë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 majit:

 “Me kënaqësi njoftoj se më 29 qershor do të mbaj një Koncistor për emërimin e 14 kardinajve të rinj. Prejardhja e tyre shpreh universalitetin e Kishës, që vijon t’ua kumtojë dashurinë përdëllyese të Zotit të gjithë njerëzve të tokës. Përfshirja e kardinajve të rinj në dioqezat e Romës, tregon lidhjen e pashkëputshme  ndërmjet Selisë së Pjetrit dhe Kishave të veçanta, të përhapura nëpër botë. Ja edhe emrat e kardinajve:

Fortlumturia e Tij, Louis-Raphaël I Sako, patriark i Babilonisë së Kaldejve;
Imzot Luis Ladaria, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e fesë;

Imzot Angelo De Donatis, vikar i përgjithshëm  i Romës;

Imzot Giovanni Angelo Becciu, zëvendës për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit dhe delegat i posaçëm pranë Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës.

Imzot Konrad Krajewski, Lëmoshtar apostolik;

Imzot Joseph Coutts, kryeipeshkëv i Karachi;

Imzot Antonio dos Santos Martos, ipeshkëv i Leiria-Fátima;

Imzot Pedro Barreto, kryeipeshkëv i Huancayo;

Imzot Desiré Tsarahazana, kryeipeshkëv i Toamasina;

Imzot Giuseppe Petrocchi, kryeipeshkëv i Aquila;

Imzot Tomas Aquinas Manyo Maeda, kryeipeshkëv i Osaka.

Së bashku me ta, u shtoj anëtarëve të Kolegjit kardinalor një kryeipeshkëv, një ipeshkëv e një rregulltar, që u dalluan për shërbim ndaj Kishës:

Imzot Sergio Obeso Rivera, kryeipeshkëv nderi i Jalapa;

Imzot Toribio Porco Ticona, prelat nderi i Coro Coro;

I nderuari atë Aquilino Bocos Merino, klaretian.

Të lutemi për kardinajtë e rinj,  që duke e konfirmuar bashkimin e tyre me Krishtin, Kryemeshtar i mëshirshëm e besnik, të më ndihmojnë në shërbesën e ipeshkvit të Romës për të mirën e gjithë Popullit Shenjt besnik të Zotit”.

Nisi, kështu, Koncistori i pestë i Papës Françesku, që pason  katër të tjerët, të thirrur më 22 shkurt 2014, 14 shkurt 2015, 19 nëntor 2016 dhe 28 qershor 2017. Nuk është çmim, që jepet për të përparuar në udhën karrierës, por nxitje për t’i shërbyer me zell e hov të ri asaj pjese të Kishës, ku kandidatët e zgjedhur kanë dhënë deri tani kontributin e tyre të shquar.  Mbi këtë shërbim e vuri fort theksin Papa edhe në homelinë, mbajtur sot gjatë kremtimit prekës të krijimit të kardinajve të rinj, frymëzuar nga Ungjilli i Shën Markut, konceptuar si udhë drejt Jeruzalemit e përshkuar tej e ndanë nga porosia e përjetshme e Krishtit në Ungjill “Kush dëshiron të bëhet më i madhi ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj”.

“Kush dëshiron të bëhet më i madhi ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj”.

Përballë kumtimit të tretë të Krishit, që flet për mundimet e tij, Ungjilltari nuk ngurron të zbulojë sekretet e zemrës së dishepujve: kërkimin e vendeve të para, zilitë, intrigat, marrëveshjet; logjikë që i rrënon marrëdhëniet ndërmjet tyre e i shtyn të humbasin kohën me diskutime të kota, pa pikë vlere. Për të nënvizuar se Jezusi nuk ndalet para një realiteti të tillë, që e njeh fare mirë. Shkon përpara, prin, me porosinë, që ishte edhe lajmotivi i homelisë së sotme të Françeskut: “Kush dëshiron të jetë më i madhi, do të jetë shërbëtori juaj”.

Syri i Zotit depërton në zemër të dishepujve, për t’i mbajtur larg  korruptimit, larg intrigave

Syri i Zotit - kujtoi Papa - depërton në zemër të dishepujve, për t’i mbajtur larg rrezikut të korruptimit, larg intrigave, që e bëjnë shterpë zemrën e misionin - kujtoi Papa - që mund të jenë edhe - shtoi- intriga pallati, edhe në kuriet kishtare.

Por - ndërmjet jush nuk është kështu -  vijoi të citojë fjalët e Krishtit Papa - që i mëson dishepujt e të gjitha kohëve se kthesa, shndërrimi i zemrës dhe reforma e Kishës është e do të jetë gjithnjë çelësi misionar, sepse  u kërkon të heqin dorë nga kujdesi për interesat e tyre, për t’u kujdesur për interesat e Atit. Pendesa për mëkatet tona, egoizmin tonë, nuk është as nuk do të jetë kurrë qëllim në vetvete – nënvizoi me forcë Françesku - por synim për të thelluar besnikërinë dhe gatishmërinë  në kryerjen e  misionit.

I pari, do të jetë i fundit!

Kur e harrojmë misionin, kur e humbasim nga sytë fytyrën konkrete të vëllezërve, jeta jonë bëhet kërkim i vazhdueshëm i interesave vetjake, sigurive tona. Mbushemi përplot me vetveten. E nuk na mbetet më  hapësirë për të tjerët, për bashkësinë kishtare, për të varfërit, për të dëgjuar zërin e Zotit! Prej këndej -  fjalët e Jezusit, lajtmotiv i homelisë së Papës, në këtë Meshë prekëse, për t’i shtuar radhët e Kishës me kardinaj të rinj: “I pari, do të jetë i fundit! Kjo është lumturia e magnificat, që – u kujtoi Papa kardinajve të rinj - jemi të thirrur ta intonojmë ditë për ditë, për të mos harruar se autoriteti i Kishës rritet përmes aftësisë për të promovuar dinjitetin e tjetrit, për t’ia shëruar tjetrit plagët e shpresat, shpesh herë të fyera e të nëpërkëmbura.

E këtu, porosia e drejtpëdrejtë e Papës për kardinajtë e rinj e të kahershëm: “Duhet të kujtojmë se jemi këtu  të thirrur për t’u çuar të varfërve lajmin e mirë, për t’u shpallur të burgosurve lirimin e për t’u hapur sytë të verbërve; për të këputur zinxhirët e të shtypurve e për të shpallur vitin e hirit të Zotit!”.

T’ua lash këmbët të tjerëve - si Krishti – ky është  më i larti titull

Ndërsa jemi për udhë drejt Jeruzalemit - u kujtoi Papa kardinajve – mos harroni se Zoti ecën para nesh, për të na kujtuar edhe një herë se i vetmi autoritet i besueshëm  është ai, që lind nga përkulja tek këmbët e të tjerëve, për t’i shërbyer Krishtit, duke ndjekur shembullin e  Tij. T’ua lash këmbët të tjerëve - si Krishti – ky është më i madhi nderim, më i larti titull që mund të fitosh; t’i shërbesh Krishtit në popullin besnik, në të uriturin, të harruarin, të burgosurin, të sëmurin, të droguarin, të braktisurin, në njerëzit e pashpresë, në njerëz konkretë, me historitë e shpresat e tyre, me zhgënjimet, vuajtjet, plagët! Vetëm kështu autoriteti i bariut do të ketë shijen e Ungjillit e nuk do të jetë si bronz që kumbon, as si çembal që  tingëllon. Asnjëri nga ne – vijoi të theksojë Papa - nuk duhet t’i shikojë të tjerët nga lart-poshtë. Mund ta shikojmë kështu tjetrin, vetëm kur e ndihmojmë të ngrihet në këmbë.

Testamenti shpirtëror i Shën Gjonit XXIII- model jete

Në përfundim të kësaj homelie jo të zakonshme, në sintoni të plotë me kremtimin, Papa kujtoi testamentin shpirtëror të Shën Gjonit XXIII që, duke u shtyrë në moshë, pati shkruar: “I lindur i varfër, por nga prindër të nderuar, jam jashtëzakonisht i gëzuar që po vdes i varfër, pasi e shkriva jetën time të thjeshtë e modeste në shërbim të të varfërve e të Kishës Shenjte, që më ushqeu gjatë viteve të meshtarisë e të ipeshkvnisë. Falënderoj Zotin për hirin e varfërisë, që më ndihmoi të mos kërkoj kurrë asgjë, as poste, as para, as favore, kurrë, as për vete e as për familjarët e miqtë e mi” (29 qershor 1954).

Kjo, homelia domethënëse, mbajtur nga Françesku në Meshën për krijimin e 14 kardinajve të rinj, sot, nësa përgatitet për një kremtim tjetër solemn. Atë të Shenjtorëve Pajtorë të Vatikanit, Shën Pjetrit e Shën Palit Apostuj.

28 qershor 2018, 17:32