Kërko

Papa Kampionatit Botëror të Futbollit: rast takimi, dialogu, vëllazërie

Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme, pas katekizmit, duke kujtuar Kampionatin Botëror të Futbollit, uroi që të favorizojë solidaritetin dhe paqen ndërmjet kombeve.

R. SH. - Vatikan

Pak orë para hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit, Papa Françesku bëri një thirrje të fortë: “Nesër - kujtoi - në Rusi, hapet Botërori i Futbollit. “Dëshiroj t’i dërgoj përshëndetjet e mia të përzemërta - shtoi - lojtarëve dhe organizatorëve, ashtu si dhe të gjithë atyre, që do ta ndjekin përmes mjeteve të komunikimit shoqëror këtë ngjarje, që i kapërcen të gjithë kufijtë. Uroj që ky manifestim i rëndësishëm sportiv të jetë rast takimi, dialogu e vëllazërimi ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme, duke favorizuar solidaritetin dhe paqen ndërmjet kombeve”.

Kupa, ëndërr për 32 kombe

Janë 32, kombet që marrin pjesë në Botërorin e Rusisë. Më të favorizuarat,  skuadrat e Amerikës Latine: Brazili dhe Argjentina. Ndërmjet evropianeve, formacionet më të akredituara janë skuadra e Gjermanisë, Spanjës, Francës dhe Belgjikës. Kombëtare të tjera, të pasura me lojtarë të talentuar, Anglia, Kolumbia, Portugalia dhe Uruguaj. E nuk duhen nënvleftësuar edhe disa të tjera, që mund të na dhurojnë të papritura të mëdha. Ndërmjet tyre, Rusia, vendi mikpritës, Serbia, Kroacia dhe Meksika. Ekuilibër të kënaqshëm taktik kanë edhe Zvicra e Polonia.

Periferitë e futbollit

Këtyre formacioneve më të fisme, u shtohen edhe skuadrat, për të cilat nuk bëhen aq parashikime. Kombëtare, siç do të thoshte Papa Françesku, që përfaqësojnë periferitë e futbollit: Egjipti, Maroku, Nigeria, Senegali e Tunizia. Pesë skuadra të tjera vijnë nga Azia: Irani, Arabia Saudite, Japonia dhe Koreja e Jugut. Nga Veriu i Evropës janë Danimarka dhe Islanda, e cila u shqua në edicionin e Botërorit të fundmë. Shikohen me shpresë edhe skuadrat, që nuk besohet se mund të fitojnë: Panamaja, Kosta Rika, Peruja e Australia, Të gjithëve, urimi për një Kampionat Botëror, që të dallohet nga vlerat, për të cilat uroi Papa: të jetë “rast takimi, dialogu e vëllazërie”.

13 qershor 2018, 14:05