Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa Françesku takohet me Verbitët Papa Françesku takohet me Verbitët  (Vatican Media)

Papa Françesku Verbitëve: dëgjojeni britmën e atyre, që kërkojnë bukë e drejtësi

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, më se 150 pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore “Verbitët”. Misionarët e Kongregatës janë të pranishëm në të pesë kontinentet.

R. SH. - Vatikan

Dilni për të takuar vëllezërit e përjashtuar nga shoqëria, duke dëgjuar britmën e  atyre, që kërkojnë bukë e drejtësi. Kjo, thirrja që Papa Françesku u drejtoi sot paradite 150 Verbitëve, pjesëmarrës në Kapitullin e përgjithshëm të Kongregatës së tyre, pritur në audiencë, në Vatikan. Është fjala për një institut rregulltar mashkullor, lindur më 1875 sipas frymëzimit të Shën Arnoldo Jansen, për formimin e misionarëve, të cilët do të dërgoheshin, pastaj, nëpër botë. E fortë, ftesa e Papës, në fjalimin e tij mbajtur spanjisht,  që të lëshojnë rrënjë në traditën e tyre e të shkojnë ndërmjet atyre vëllezërve, që janë të shtypur nën barrën e padurueshme të interesave egoiste e të braktisur në fatin e tyre, për t’u çuar vetë Zotin, që shkon t’i takojë.

Besim

Fjalimi, që u drejtoi Papa Verbitëve, u mbështet mbi tri fjalë kryesore: besim, kumtim e vëllezër. Para së gjithash Françesku u kërkoi të mos kenë frikë, as mbyllje e të mos e pengojnë veprimin e Shpirtit Shenjt, por të dalin për ta dëshmuar me gëzim Ungjillin, që të bën të lumtur. I ftoi të kenë besim. Besim, që duhet përtërirë ditë për ditë me Fjalën e Zotit e me sakramentet.

Kumtim

E pastaj, “themelore është t’ua shpallësh Fjalën e Zotit të gjithë njerëzve, në çdo kohë e në çdo vend, duke përdorur çdo mjet të mundshëm”: “mjerë unë nëse nuk do ta kumtoja Ungjillin!”. Këto fjalë të Shën Palit duhet të vijojnë të flakërojnë si zjarri në zemrën e çdo verbiti - i nxiti Papa Françesku. Pikërisht kështu ju mendoi themeluesi - vijoi - si misionarë ndërmjet popujve, mandat që nuk njeh kufij, as kultura, sepse bota mbarë është tokë misioni,

Vëllezër

Është, pastaj, aspekti i vëllazërimit. Duhet të jeni vëllezër! Të shikosh një bashkësi priftërinjsh, rregulltarësh e laikësh, që ndjehen si anëtarë të një familjeje e që duhen, është ungjillëzimi më i madh - nënvizoi Papa - duke kujtuar Verbitëve se bota dhe Kisha kanë nevojë ta ndjejnë këtë dashuri vëllazërore, pavarësisht nga larmitë. Ad Gentes – për Ungjillin - vëllezërisht – kjo ftesa e Papës Verbitëve.

 

22 qershor 2018, 15:03