Kërko

 Papa Françesku në prag të shtegtimit në Gjenevë Papa Françesku në prag të shtegtimit në Gjenevë 

Papa Françesku në Gjenevë: në agjendë, edhe tema e refugjatëve

Nësa Papa përgatitet për shtegtimin ekumenik në Gjenevë, në mikrofonin e Vatican News disa nga organizatorët ndalen tek temat, që do të preken me këtë rast edhe në praninë e një delegacioni verikorean.

R. SH. - Vatikan

Afrohet shtegtimi ekumenik i Papës Françesku në Gjenevë, më 21 qershor 2018. Të shumta, hollësirat që u diskutuan në takimin e sotëm të Vatican News, me atë Andrzej Choromanski, funksionar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, specialist për marrëdhëniet me Këshillin Botëror të Kishave, në Gjenevë, e edhe me doktoreshën Marianne Ejdersten, drejtoreshë e Komunikimit të World Council of Churches.

Një delegacion i Koresë së Veriut

Në qytezën zvicerane do të jetë edhe një delegacion i krishterë nga Koreja e Veriut, që do të takohet me Atin e Shenjtë gjatë vizitës në Këshillin Botëror të Kishave (WCC). E konfirmon drejtoresha e Komunikimit të World Council of Churches, që parashikon arritjen e rreth 150 anëtarëve të Këshillit si dhe 200 të ftuarve. Ndërmjet tyre, nga 15 deri më 21 qershor, në asamblenë e WCC do të jetë edhe delegacioni i krishterë i Koresë së Veriut e asaj të Jugut, prani që i detyrohet marrëdhënieve të mira, vendosur ndërmjet dy vendeve, që nga viti 1984.

Projekte për paqen në botë

Gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në Gjenevë, në qendër të vëmendjes do të jetë tema e paqes - shton Marianne Ejdersten - sepse është pjesë e kushtetutës së WCC. Qëllimi i Këshillit - pohoi - është uniteti ndërmjet të krishterëve, por edhe promovimi i drejtësisë dhe i paqes. Siç e dimë, paqja nuk mund të sigurohet, nëse mungon drejtësia. Kjo është në bazë të projekteve të ndryshme, të zhvilluara si në gadishullin korean, ashtu edhe në Kolumbi, në Sudanin Jugor dhe në Lindjen e Mesme.

Tema e refugjatëve

Një temë tjetër, që do të trajtohet gjatë shtegtimit të Papës Françesku në Gjenevë, do të jetë edhe mbështetja e refugjatëve nga ana e Kishave. Ndërmjet pothuajse 350 Kishave anëtare të WCC, shumica përfaqëson realitete afrikane e aziatike, prej nga vijnë një shumicë refugjatësh, që ikin drejt Evropës, djep i traditave kishtare si katolicizmi, kishat ortodokse dhe bashkësitë protestante. Këtë thekson zyrtari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, i nderuari Andrzej Choromanski, duke folur  për një baskëpunim të ngushtë mbi temën në fushën ekumenike.

“Ne të Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, së bashku me Këshillin ekumenik të Kishave” – pohon - po hartojmë një dokument me udhëzime e ndihma për mikpritjen e refugjatëve nga kishat e krishtera. Ne duhet ta ndihmojmë njeriun, që ka më shumë nevojë e, lidhur me këtë përvojë, po vijon prej kohe bashkëpunimi ekumenik në kontekstet e ndryshme lokale. Është fjala për një punë shumë të rëndësishme nga ana e WCC-së”.

13 qershor 2018, 16:25