Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në Molfetta Papa Françesku në Molfetta  (Vatican Media)

Papa Françesku në Bari, më 7 korrik: programi i vizitës

Lutja ekumenike për paqen dhe dialogu me Patriarkët, në qendër të ditës, që Papa Françesku do të kalojë në Bari, më 7 korrik.

R. SH. - Vatikan

Për të pestën herë, një papë viziton Barin. Më 7 korrik, Papa Françesku do të shkojë në qytetin italian të shën Nikollës, në vizitë ekumenike, për një ditë lutjeje e reflektimi mbi gjendjen dramatike të Lindjes së Mesme, së bashku me Patriarkët e asaj zone. Sot, Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë bëri të njohur programin e vizitës.

Programi i vizitës

         Ati i Shenjtë do të niset nga Vatikani në orën 7.00, për të mbërritur në sheshin Cristoforo Colombo të kryeqendrës puljeze. Do të pritet nga autoritetet kishtare dhe civile të vendit, për të shkuar në Bazilikën Papnore të Shën Nikollës, ku do të mblidhen edhe Patriarkët e ardhur nga vendet e tyre.  

Nderimi i relikeve

         Fillimisht, Papa dhe Patriarkët e Lindjes së Mesme do të zbresin në kriptën e Bazilikës për të nderuar reliket e shën Nikollës dhe për të ndezur llambën në formë karavele, shenjë e fesë së vetme të krishterë, ushqyer nga dy traditat, katolike dhe ortodokse. Ndezur nga Papa Piu XI, iu dhurua Bazilikës në vitin 1936 nga Shoqata romake e shën Nikollës. Në vitin 1984, gjatë një kremtimi ekumenik, kjo llambë u ndez edhe nga Papa Gjon Pali II dhe nga mitropoliti ortodoks i Mirës, Crisostomo Konstantinidis.

Lutja me Patriarkët

         Në orën 9.15, Papa e Patriarkët do të zhvendosen në sheshin e rrumbullakët (Rotonda) në bregdetin barez për takimin e lutjes, parashikuar në orën 9.30. Në përfundim të tij, në orën 11.00, në Bazilikën e qytetit do të ketë një bisedë me dyer të mbyllura. Në orën 13.30, dreka në kryeipeshkvi. Veprimtaritë e kësaj dite të Papës Françesku në Bari do të përfundojmë me përshëndetjen e Atit të Shenjtë me Patriarkët fillimisht e, pastaj, me autoritetet, si edhe me kthimin në Vatikan, parashikuar në orën 17.15.

Pak histori

Vizita e Françeskut në Bari bëhet 13 vjet pas vizitës së Benediktit XVI, më 2005, për Kongresin eukaristik kombëtar, që mbahej 21 vjet pas shtegtimit të Gjon Palit II. Por Papa i parë, që ka vizituar Barin, ka qenë Urbani, në Mesjetë. Shkoi në qytetin bregdetar italian, ku aktualisht, jetojnë edhe shumë shqiptarë, në vitin 1089 për shugurimin e kriptës së shën Nikollës e, më 1098 për zhvendosjen e relikeve të shenjtit nga Mira. Pas tij, në këtë qytet, shkoi edhe Papa Inoçenci II, në vitin 1137.

07 qershor 2018, 14:27