Kërko

 Papa Françesku me imzot Vicenzo Paglia-n Papa Françesku me imzot Vicenzo Paglia-n  

Papa Françesku: mos u bëni “burra e gra-pasqyrë”, që shikojnë vetëm vetveten

Duke pritur sot një delegacion të Akademisë Papnore për Jetën, në prag të Asamblesë së 24-t të përgjithshme, me temë: “Të barabartë që nga lindja? Përgjegjësi globale”, Papa ftoi të mendohet për bioetikën, jo duke u nisur nga sëmundja dhe nga vdekja, por nga bindja e paprapsueshme e dinjitetit të njeriut.

R. SH. - Vatikan

Duke nisur që sot, Akademia Papnore për Jetën do të reflektojë mbi këtë pikë, në asamblenë e saj të përgjithshme, që mbahet në Sallën e Sinodit, deri të mërkurën e ardhshme. E Françesku, i frymëzuar nga tema, gjatë audiencës së sotme, në Vatikan, bëri një analizë të hollësishme kushtuar “cilësive etike dhe shpirtërore  të jetës, në të gjitha fazat e saj”.

Jeta, ndonëse e brishtë dhe e sëmurë, mbetet gjithnjë jetë

Ekziston - pohoi Papa - një jetë, që është familje e bashkësi; një jetë, që është lutje e shpresë. E fyer, e plagosur, e përjashtuar, mbetet gjithnjë jetë, ekziston, ashtu si ekziston jeta e pasosur. “Duke kujtuar ndihmesën e biologjisë, që studion aspektet fizike, kimike e mekanike” – vijoi - nuk duhet harruar “perspektiva  më e gjerë dhe më e thellë, e cila kërkon vëmendje për jetën njerëzore, që hyn me vrull në skenën e botës, me mrekullinë e fjalës e të mendimit, të ndjenjave e të shpirtit”. E puna më e bukur e jetës është lindja e një njeriu, edukimi i cilësive të tij shpirtërore e krijuese, rrethimi me dashurinë e familjes e të bashkësisë, kujdesi për ligështitë e plagët e tij; ashtu si hyrja në jetën e bijve të Zotit, në Jezu Krishtin.

Larg lojës së ndyrë të vdekjes

Françesku kujtoi se të heqësh dorë nga jeta, t’ia dorëzosh të varfërin urisë, të persekutuarin luftës, të moshuarin braktisjes, do të thotë të bësh punën e ndyrë të vdekjes. E keqja - pohoi Papa - përpiqet të na bindë se vdekja është fundi i çdo gjëje, se erdhëm në botë, për të përfunduar në hiç. Kjo do të thotë të përkulesh mbi vetveten, për të humbur pa shenjë pa dukë në fund të ujit, si Narcizi, gjë që përhap një virus shpirtëror tejet ngjitës.

Kjo na dënon të bëhemi burra-pasqyra e gra-pasqyra, që shikojnë vetëm veten, e asgjë tjetër. Është njëlloj si të verbohesh për jetën dhe lëvizjen e saj, parë si dhuratë e marrë nga të tjerët, që edhe duhet të dhurohet për të tjerët. Pa bashkëpunuar kurrë me vdekjen, jeta duhet vlerësuar në të gjitha rrethanat, duke ia mbrojtur dinjitetin në çdo fazë e duke kërkuar forma dashurie e kushte për vijimin e  saj, edhe kur është e brishtë.

Trupi është dhuratë e Zotit

Papa theksoi posaçërisht rëndësinë e trupit, përmes të cilit hyjmë në lidhje të drejtpërdrejtë me ambientin dhe me qeniet e tjera të gjalla. Ta pranosh, do të thotë ta shikosh si dhuratë e Zotit. Madje, të pranosh botën mbarë si dhuratë të Zotit e si shtëpi të përbashkët, sepse logjika e sundimit mbi korpin tënd - shpjegoi - shndërrohet në logjikë, shpesh të stërholluar, të sundimit mbi krijimin. Prandaj duhet të mësohemi ta pranojmë trupin tonë, të kujdesemi për të e ta respektojmë domethënien e tij. E edhe ta vlerësojmë, në femërsinë dhe mashkullësinë e tij,  për të mund ta njohur vetveten në takimin me tjetrin, që është ndryshe nga ne.

Të shikohet caku i fundit i jetës

Së fundi Papa kujtoi se duhet të pyesim edhe për cakun e mbramë të jetës. Jeta e njeriut, e bukur deri në mahnitje, por edhe e brishtë për vdekje, na çon përtej vetvetes; ne jemi pambarimisht më shumë, sesa ajo që mund të bëjmë për vetveten. Jeta është guximtare, përmes hirit misterioz, që na vjen nga lart e na kujton fitoren përfundimtare të dashurisë. Dhe është e aftë deri në atë pikë – shpresë kundër çdo shprese - sa të flijojet për këtë fitore, deri në fund të fundit.  

25 qershor 2018, 15:04