Kërko

Papa Françesku me të varfërit Papa Françesku me të varfërit 

Papa Françesku, më 18 nëntor, meshë e drekë me 3 mijë të varfër

Të bërtasim, të përgjigjemi e të çlirojmë: këto janë tre foljet, në qendër të mesazhit të Papës Françesku për Ditën e Dytë Botërore të të Varfërve, që këtë vit, do të kremtohet më 18 nëntor.

R.SH. - Vatikan

Dita e dytë Botërore e të Varfërve, themeluar nga Papa Françesku në përfundim të Jubileut të Mëshirës, këtë vit do të kremtohet më 18 nëntor. Të shumta, nismat në agjendë, çastet e solidaritetit e të takimit, ku do të marrin pjesë dioqeza nga e gjithë bota. Famulli, qendra vullnetarësh, shkolla e kolegje, do t’i hapin dyert për të dhuruar 24 orë afërsi e ushqim të ngrohtë.

Dreka me Papën

Qendra e ngjarjeve do të jetë kremtimi i Atit i Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 9.30 e pastaj, dreka me rreth 3 mijë të varfër, të çdo feje e kombësie, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Dreka do të ofrohet nga “Rome Cavalieri Hilton Italia”, në bashkëpunim me Entin Moral “Tabor”, saktësoi sot imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e Mesazhit të Papës. “18 nëntori – shtoi prelati – është dita përfundimtare, por edhe pikënisja për të vënë në qendër të varfërit e për t’i bërë ata protagonistë”.

Të bërtasim, të përgjigjemi, të çlirojmë

         Të bërtasim, të përgjigjemi, të çlirojmë: janë tri, foljet, në qendër të tekstit të Papës për këtë Ditë Botërore. Imzot Fisichella theksoi nevojën për t’i dëgjuar e për t’iu përgjigjur të varfërve, pa justifikime e pa e lënë këtë punë për nesër. Kemi nevojë për kontributin e të gjithëve, nënvizoi. “Ky mesazh – tha – është ftesë për t’u vetëdijësuar se të varfërit janë mes nesh e se para tyre, indiferenca dhe kthimi kokës anash nuk çojnë aksund”. Nevojiten mëshira dhe realizmi, por edhe “çlirimi” i këtij populli të vuajtur nga skllavëria e trishtimit e nga mënjanimi, si edhe “çlirimi” ynë nga frika e tjetrit, nga indiferenca e nga egoizmi.

14 qershor 2018, 16:50