Logo zyrtare e vizitës së Papës në Bari Logo zyrtare e vizitës së Papës në Bari 

Papa Françesku: logo zyrtare e vizitës në Bari, më 7 korrik

Javën e kaluar u paraqit logo zyrtare e vizitës së Papës Françesku në Bari, më 7 korrik, me rastin e Takimit të lutjes për paqen në Lindjen e Mesme.

R.SH. - Vatikan

Kryedioqeza italiane e Bari-Bitontos njoftoi të enjten se logo synon “të kombinojë temat e Ditës së reflektimit e të lutjes, që Ati i Shenjtë dëshiron ta jetojë së bashku me krerët e kishave të Lindjes, me disa elemente karakteristike të qytetit të Barit e të Bazilikës Papnore të Shën Nikollës”.

Fjalët lidhin Lindjen me Perëndimin

Në pjesën e sipërme të logos shkruhet “Mbi ty qoftë paqja” në formën e një harku, që bashkon Lindjen me Perëndimin. Me fjalët e shkruara në fund – “Të krishterët, së bashku për Lindjen e Mesme” – bëhet e qartë cila është arsyeja e këtij takimi. Ngjyra e kuqe e shkronjave, shpjegohet në një komunikatë, të kujton martirizimin e të krishterëve, si edhe “çdo burrë e grua të sprovuar nga dhimbja e dhuna”.

Bazilika e Shën Nikollës

 Linjat e formës romanike të bazilikës së shën Nikollës, me ngjyrë të kaltër, shërbejnë si kornizë për përqafimin ndërmjet Papës dhe Patriarkëve të Kishave, bashkuar në lutje për paqen. Sipër figurave, tri sfera të arta, që të kujtojnë simbologjinë tipike të shën Nikollës e, “njëkohësisht – lexohet në tekst – misterin e Trinisë Shenjte, burimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe i vëllazërimit ndërmjet tyre, themel i paqes”.

Dritare e hapur mbi Lindjen e Mesme

Valët, të kaltërta si bazilika, përfaqësojnë Detin Adriatik, që lag qytetin e Barit - edhe ato, në formën e një ure mbi Mesdhe, për të simbolizuar ekumenizmin dhe bashkimin ndërmjet popujve. Në tërësinë e saj, logo merr formën e frëngjive tipike të bazilikës së Shën Nikollës (monofore), për të simbolizuar një dritare të hapur mbi Lindjen e Mesme.

09 qershor 2018, 12:11