Papa Françesku pritet me gëzim në Gjenevë
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku mbërrini sot në ora 10:00 në aeroportin e Gjenevës ku, pas ceremonisë së mirëseardhjes, u takua privatisht me Presidentin e Konfederatës Zvicerane.
Papa Françesku mbërriti në Gjenevë në kuadrin e shtegtimit ekumenik me rastin e 70 vjetorit të Këshillit Botëror të Kishave, World Council of Churches (Wcc). Është Papa i tretë që shkon në qytetin zviceran pas Palit VI e Gjon Palit II. Pas udhëtimit apostolik në Lund në Suedi, në vitin 2016, shtegtimi i sotëm papnor është një tjetër rast i rëndësishëm ndërkombëtar për dialogun dhe takimin ekumenik.
Pritja dhe takim me Presidentin e Konfederatës së Zvicrës
Posa mbërrini në Gjenevë, pak pas orës 10, Papa Françesku u prit me një mirëseardhje të ngrohtë: te këmbët e shkallëve të avionit, ishte Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Alain Berset dhe dy ish-Roje Zvicerane. Disa fëmijë me veshje tradicionale i ofruan lule Atit të Shenjtë. Pas paraqitjes së delegacionet, Papa Bergoglio u takua privatisht me Presidentin në një sallë të aeroportit.
Në shkëmbimin tradicional të dhuratave, Papa i dhuroi Presidentit Alain Berset një stampë që paraqet komandantin e parë të Rojeve zvicerane, Kaspar von Silenen. Skena e stampës përshkruan ardhjen e Papës në Romë në mars të 1507 gjatë kthimit nga fitorja mbi Giovanni Bentivoglio dhe rimarrjen e Bolonjës.