Kërko

 Takimi i Papës me gazetarët, në avion, drejt Romës Takimi i Papës me gazetarët, në avion, drejt Romës 

Papa: dialogu ekumenik është në kundërshtim me prozelitizmin

Në bisedën me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit nga shtegtimi në Gjenevë, Papa preku disa probleme nevralgjike, duke nisur nga emigracioni. Të drejtat e njeriut janë në krizë - theksoi - duhet forcuar “e drejta për të shpresuar”.

R. SH. - Vatikan

Dialogu ekumenik është në kundërshtim me prozelitizmin. “Duhet ta shlyejmë nga fjalori fjalën ‘prozelitizëm’: nëse është njëri, nuk mund të jetë tjetri”. Françesku e mbylli konferencën e shtypit, gjatë fluturimit të kthimit nga Gjeneva,  duke vënë theksin mbi “fjalën e bukur dialog”, me të cilën liderët e Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc) ishin plotësisht dakord. Gjë, që e shprehën edhe gjatë drekës me kreun e Kishës katolike. Duke nënvizuar se prozelitizmi është ana e errët e dialogut, që për Papën përfaqëson dritën në marrëdhëniet ndërmjet konfesioneve të krishtera.  

“Shqetësimet” e të rinjve

Pas një dite “mjaft të ngarkuar”, gjë që nuk e fshehu - Papa hapi konferencën e shtypit në avion me  60 gazetarë, duke nënvizuar me forcë vlerën  e “takimit”. Me të gjithë - kujtoi - pati takim vërtet njerëzor, larg çdo formalizmi. Nga Presidenti i Konfederatës helvetike, deri tek krerët e Kishave të krishtera, me të cilët - kujtoi - fola, jo pa shqetësim, për të rinjtë. Ky - vijoi Papa - ishte argumenti, të cilit i kushtuam më shumë kohë, për të shtuar, më tej se “para-Sinodi i marsit, me mijëra të rinj të të gjitha feve, e edhe jo besimtarë, ngjalli një interes të veçantë”.

Martesat ndërkonfesionale,  shkohet përpara mengadalë  

Papa, pastaj, ia kaloi mikrofonin kronistëve, që dëshironin ta pyesnin për probleme të aktualitetit. Tema të diskutuara, tek të cilat Papa u rikthye për të dhënë sqarime të reja. Si në rastin e ipeshkvijve gjermnaë dhe ballafaqimit me ta lidhur me marrjen e Kungimit në martesat, në të cilat njëri nga bashkëshortët është katolik e tjetri protestant. Papa e përmblodhi me pak fjalë veprimtarinë e zhvilluar deri më sot dhe përsëriti se, pasi u vlerësuan të gjitha qëndrimet, u vendos që kjo çështje të thellohej më tej, siç u shpreh edhe prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali i ardhshëm Ladaria, në një letër - shtoi Françesku - shkruar me lejën time. Papa e lavdëroi dokumentin, me të cilin  ipeshkvijtë e Gjermanisë e trajtuan ballafaqimin. Duhet vlerësuar mirë - shtoi - përgjegjësia  lidhur me trajtimin e situatës në martesat ndërkonfesionale. Gjithsesi, ky nuk është frenim,  por përpjekje për të zgjedhur rrugën më të mirë.

Emigracioni duhet drejtuar nga qeveritë

Nuk mungoi as pyetja e zakonshme mbi emigracionin, me theks mbi lajmet e kronikës së helmatisur, në të dyja anët e Atlantikut. Për mua - pohoi Papa - me ata që ikin nga uria e nga luftërat, duhen zgjedhur kritere, të cilat mund t’i përmbledhim me katër folje: “të mirëpresësh, të shoqërosh, të sistemosh, të integrosh”, sipas mundësive të çdo vendi. Françesku theksoi se tmerrohet nga lajmet, të cilat i vijnë prej të ashtuquajturave “burgje të trafikantëve”- mizori të parrëfyeshme, që mbjellin viktima posaçërisht ndërmjet grave e fëmijëve, gjë që nuk është parë as gjatë Luftës II Botërore. E në vijim, theksoi me forcë se qeveritë duhet të merren vesh sidomos për të organizuar “emergjencën” me afate të shkurtëra, e pastaj të planifikojnë politika me afate të mesme, për ta shkulur nga rrënjët fenomenin e emigracionit. Ideja e Papës njihet: në vendet, që kalojnë më shumë vështirësi, si ato afrikane e latinoamerikane, duhen krijuar kushtet që të ketë shkollë e punë për të gjithë. Atëheree mund të shpresohet se do të marrë fund problemi i “trafikut të emigrantëve”. Ndonëse me të nuk marrin fund të gjitha problemet e njerëzimit. Zgjidhet një, lind një tjetër. E sot jemi para një problemi edhe më të vështirë për t’u zgjidhur: atij të luftërave. Me to lidhet edhe persekutimi i të krishterëve. Ndërsa - vijoi Françesku -  problemi i urisë mund të zgjidhet, nëse e gjithë bashkësia ndërkombëtare vepron së bashku. Për Italinë dhe Greqinë, Papa përdori epitetin “bujarë në kulm” në ndihmë të emigrantëve, pa harruar të kujtojë edhe Turqinë, Libanin e Spanjën. Për dramën e emigracionit në SHBA, përsëriti  në mënyrë të prerë: “Jam përkrah ipeshkvijve të vendit”.

Me dialog, jo si Kaini

Një gazetar e nxiti Papën të flasë mbi doktrinën e luftës së drejtë si dhe mbi faktin se Kisha katolike do të duhej të mbante qëndrimin e  disa bashkësive protestante, që njihen me emrin “Kishat e paqes”. Françesku u përgjigj duke theksuar se shkaku i luftërave, që gjakosin sot botën, duhet kërkuar tek “kriza e të drejtave të njeriut”. Gjithçka  “është relative” - shtoi - e tema e të drejtave e ka humbur tashmë smaltin. Nuk ndjehet më entuziazmi i 70-vjetëve më parë, por as edhe i 20-vjetëve. Citoi, më pas, maksimën e famshme të Einstein, sipas të cilit, “lufta e katërt botërore do të luftohet me shkopinj”, duke kritikuar ashpër, në vijim, ata që shpenzojnë shuma marramendëse për armatimin! Më pas, thirrja që njeriu të mos vijojë t’i zgjidhë konfliktet si Kaini, por me bisedime, me dialog, me ndërmjetësim. E kundër “fondamentalistëve, domethënë fraksioneve ekstremiste, që fshihen pas feve, pa përjashtuar as katolikët, Papa përsëriti fjalët e një pastori protestant “E drejta e parë njerëzore, është e drejta për të shpresuar” .

Hera e fundit e imzot Becciu

Fjalët e fundit Françesku i ruajti për Zëvendësin dhe kardinalin e ardhshëm, Angelo Becciu, që udhëtonte për herë të fundit me këtë rol, pranë Papës, para se të nisë deyrën e re të prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Një tortë sarde, ashtu si gatuhen në vendlindjen e prelatit, u duk në korridorin e avionit, e pritur me mirënjohje të thellë nga imzot Becciu: përvojë  mahnitëse - tha prelati - të shikosh Atin e Shenjtë duke përhapur me guxim Fjalën e Zotit. Shërbimi im - përfundoi - ishte pikërisht ky, ta ndihmoja Papën në këtë mision!

22 qershor 2018, 13:56