Kërko

 Papa duke mbajtur fjalimin e dytë, në Visser’t Hoot Hall Papa duke mbajtur fjalimin e dytë, në Visser’t Hoot Hall  

Papa: “duke iu përgjigjur britmës së të varfërve, e bëjmë të besueshëm Ungjillin”

Tre, fjalimet zyrtare të Papës në Zvicër. Pas reflektimit gjatë lutjes ekumenike në Wcc, paradite, me praninë e 250 mijë besimtarëve, pasdite Françesku mbajti fjalimin e dytë, në Visser’t Hoot Hall të Qendrës, ku foli edhe i nderuari Olav Fyske Tveit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc), si dhe doktoresha Agnes Abuom.

Kujtoi 70-vjetorin e themelimit të Këshillit, në fillim Papa, duke theksuar se biblikisht 70-vjet janë shenjë e bekimit hyjnor. Të sjellin në mendje – kujtoi - ata, të cilët paraprinë në këtë udhë, duke e shkrirë jetën për t’iu përgjigjur vullnetit të Zotit që “të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Paraprinë - vijoi - duke cituar fjalët e njërit nga Etërit e lashtë: “Nëse vërtet dashuria arrin ta zhdukë frikën, e kjo shndërrohet në dashuri, atëhere zbulohet  se çka të shpëton, është pikërisht uniteti”. E pikërisht uniteti u realizua nga pararendësit të cilët, me forcën e paarmatosur të Ungjillit, patën guximin t’ia ndërrojnë rrjedhën historisë, asaj historie që - kujtoi Papa - na pati bërë ta shikojmë me mosbesim njëri-tjetrin e ta vijojmë spiralen djallëzore të përçarjeve. Për virtyt të Shpirtit Shenjt, frymëzues dhe prijës i ekumenizmit, drejtimi ndryshoi e nisi një udhë sa e re, aq edhe e lashtë: udha e bashkimit dhe e pajtimit, drejt manifestimit të dukshëm të asaj, që tashmë i bashkon besimtarët.

Dishepulli duhet të jetë apostull dhe misionar

Duke u nisur nga numri 70 - 70 vjetët e Këshillit Ekumenik - e shtatëdhjetë  dishepujt, që Jezusi i dërgoi në mision, Papa kujtoi se misioni u drejtohet gjithë popujve e se secili dishepull, për të qenë i tillë, duhet të bëhet apostull, misionar. Këshilli Ekumenik i Kishave - nënvizoi Papa - lindi si mjet i lëvizjes ekumenike, i nxitur nga thirrja e fortë për mision. Prej këndej, pyetja e Françeskut: “Si mund të ungjillëzojnë të krishterët e ndarë?”. E më tej, shqetësimi se ekumenizmi dhe misioni sot, nuk janë më aq të lidhur, sa ishin në zanafillë. Prej këndej, edhe nevoja për një hov të ri ungjillëzues, që do ta gjallërojë veprimtarinë misionare e do ta thellojë unitetin ndërmjet të krishterëve.

R. SH. - Vatikan

“Ashtu si në zanafillë - theksoi Papa - të shtrëngohemi rreth Mësuesit, jo pa u turpëruar për lëkundjet tona të vazhdueshme e duke pohuar, ashtu si Pjetri: “Zot, ku të shkojmë? Vetëm ti ke fjalë jete të amshuar!”.

Desha të marr pjesë në këto kremtime - nënvizoi më pas Papa - edhe për të ripohuar angazhimin e Kishës katolike në kauzën ekumenike si dhe për të inkurajuar bashkëpunimin me Kishat-anëtare e me partnerët ekumenikë. Prandaj Papa u ndalua tek motoja e zgjedhur për këtë ditë: “Ec, -Lutu- Puno së bashku!”.

Ec!

Të ecësh - kujtoi - do të thotë të jesh në dalje drejt periferive të shumta ekzistenciale të sotme, për t’ia çuar së bashku hirin e Ungjillit njerëzimit të vuajtur.

Lutu!

Kemi nevojë edhe të lutemi me njëri-tjetrin! Nuk mund të përparojmë vetëm, sepse hiri hyjnor dikohet më harmonishëm ndërmjet besimtarëve që duhen. Pa harruar se lutja është oksigjeni i ekumenizmit.

Puno së bashku!

Këtu Papa pohoi se Kisha katolike e pranon rëndësinë e posaçme të punës, që kryen Komisioni “Fe e Kushtetutë” dhe dëshiron të vijojë kontributin e saj, përmes pjesëmarrjes së teologëve më të kualifikuar. Puna kërkimore e  Fe dhe Kushetutë për një vizion të përbashkët në Kishë dhe veprimtaria e saj e re mbi shqyrtimin e çështjeve morale dhe etike, prekin pika nevralgjike të sfidës ekumenike - kujtoi Papa - që në vijim vlerësoi lart edhe rolin e Institutit Ekumenik të Bossey për formimin ekumenik të breznive të reja.

Zoti, Samaritani i Mirë - theksoi - vijon të na inkurajojë t’i shërbejmë të afërmit, çdo të afërmi. Të pyesim, atëherë, ç’mund të bëjmë së bashku? Nëse një shërbim është i mundur, pse të mos e projektojmë e edhe ta kryejmë së bashku, duke filluar ta provojmë vëllazërimin në ushtrimin e dashurisë së krishterë konkrete?

Në përfundim, duke përsëritur falënderimin për mikpritjen, Papa u drejtoi të gjithëve ftesën: “Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të ecur, për t’u lutur e për të punuar së bashku që, me ndihmën e Zotit, uniteti të përparojë e bota të besojë!”.

21 qershor 2018, 17:05