Kërko

 Lutja e të krishterëve Lutja e të krishterëve 

Papa në WCC: Lutja e Kishave për unitetin e të krishterëve, paqen dhe mikpritjen e emigrantëve

Shumë lutje për unitetin e të krishterëve, paqen dhe mikpritjen e emigrantëve u thanë sot paradite, gjatë lutjes ekumenike, në praninë e Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

humë lutje për unitetin e të krishterëve, paqen dhe mikpritjen e emigrantëve u thanë sot paradite, gjatë lutjes ekumenike, në praninë e Papës Françesku.

E para, lutja për bashkimin e të krishterëve

“Na bëj dhembshurisht të vetëdijshëm për mosbesimin tonë, që na pengon të bashkohemi”-  u lutën besimtarët. - “Na ndihmo të pranojmë ndershmërisht  e me guxim indiferencën tonë të heshtur, mosbesimin e armiqësinë tonë kundër tjetrit! Na e jep hirin që të gjithë të mund ta takojmë njëri-tjetrin në Ty, që shpirti ynë e buzët tona të mund të lartojnë lutjen tënde për bashkimin e të krishterëve”.

Lutja e dytë, kushtuar paqes

“O Zot, Jezus, ti je udha e paqes. Eja në jetët tona, në tokat tona  të copëtuara e na e sill dashurinë tënde, që gjithçka bashkon, gjithçka shëron. Na ndihmo të gjunjëzohemi para teje me pendim të thellë, duke i kërkuar  tjetrit faljen e vërtetë. Me zjarrin e shpirtit tënd shenjt, shkriji zemrat tona të akulluara, shkatërroje krenarinë dhe paragjykimin, që na ndajnë e na bëj mjete të dashurisë, paqes, unitetit e harmonisë ndërmjet njerëzve, pavarësisht nga raca, ngjyra, besojma”.

Lutje për emigrantët

E fuqishme, lutja e fundit, kushtuar emigrantëve: “O Zot Jezus, ti që në fëmijëri provove të gjitha vështirësitë e jetës së emigrantit e të refugjatit, sot na bën thirrje t’i mikpresim anëtarët e familjes së Zotit, që vijnë në tokën tonë për të ikur nga shtypja, varfëria, persekutimi, dhuna e lufta. Por ne jemi plot frikë e dyshime. Ndërtojmë mure në zemrat tona e në mendjet tona. O Zot Jezus, me hirin Tënd na ndihmo ta dëbojmë frikën, që të mund ta përqafojmë secilin nga bijtë e tu, si të ishte vëllai ynë a motra jonë e t’i presim emigrantët dhe refugjatët me gëzim e bujari, duke u dhënë ndihmën tonë e duke u bërë për ta,  Samaritanë të mirë”.

21 qershor 2018, 16:58