Kërko

SWITZERLAND POPE VISIT WORLD COUNCIL OF CHURCHES SWITZERLAND POPE VISIT WORLD COUNCIL OF CHURCHES 

Mesha e Papës në Gjenevë: vetëm duke thënë ‘Ati ynë’ lutemi me gjuhën e krishterë

Atyna, në qendër të homelisë së Meshës, kremtuar nga Papa në Palaexpo të Gjenevës. Pas Meshe, Ati i Shenjtë përshëndeti tetë anëtarë koreanë të Wcc-së, katër nga Koreja e Veriut e katër nga Koreja e Jugut. Vetëm duke thënë ‘Ati ynë’ lutemi me gjuhën e krishterë.

R. SH. - Vatikan

Në orën 17.30 në Palaexpo të Gjenevës, Papa Françesku kremtoi Meshën, në ditën kur Kisha përkujton Shenjtin jezuit, Luigj Gonzaga. Më se 40 mijë, besimtarët, ardhur edhe nga Franca e afërt, ndërsa jashtë ndërtesës qenë vendosur ekrane të mëdhenj.

 Homelinë e Meshës Françesku e nisi me fjalën “Atë!”, siç nis edhe Lutja kryesore e krishterë, Atyna. Mund të vijojë me  fjalë të ndryshme - kujtoi Ati i Shenjtë - por e para nuk mund të harrohet, sepse fjala “Atë” është çelësi, pa të cilin nuk mund të hyhet në zemrën e Zotit. Edhe pse vetëm duke thënë Atë, lutemi në gjuhën e krishterë.

Fjala Atë

Lutemi krishterisht, duke iu drejtuar jo një Zoti të përgjithshëm, por Zotit që është, mbi të gjitha, Atë. Jezusi na kërkoi të themi “Ati ynë, që je në qiell” e jo “O Zot i qiellit, që je Atë”. Para së gjithash, para se të jetë i pafillim e edhe i pambarim, “Zoti është atë”. E këtë atësi e theksoi me forcë Papa në fillim të homelisë - për të kujtuar, në vijim, se prej Tij e ka zanafillën çdo e mirë, e edhe vetë jeta”. Atyna është formula e jetës sonë - ajo që na zbulon identitetin. Të mos lodhemi duke e thënë Atynën - ngulmoi Papa gjatë homelisë - duke  shpjeguar, në vijim, fjalët kryesore, të lutjes  themelore të krishterë, që na e mësoi vetë Jezusi.

Fjala bukë

Pas fjalës Atë, në homelinë e Meshës, Papa u ndalua tek fjala e dytë, bukë! Jezusi na porosit t’ia kërkojmë Atit ditë për ditë bukën tonë. Nuk  është nevoja të kërkojmë më shumë; vetëm bukën, domethënë, themeloren që duhet për të jetuar. Buka është ushqimi i mjaftueshëm për sot, për shëndetin, për punën e sotme. Është ai ushqim që, për fat të keq, u mungon shumë vëllezërve e motrave tona. Prandaj - pohoi me forcë Papa, në homelinë e Meshës, kremtuar në… unë them: “Mjerë ai, që spekulon me bukën! Ushqimin bazë për jetën e përditshme të popujve, e cila nuk duhet t’i mungojë askujt”.

Të kërkosh bukën e përditshme - shpjegoi më tej Françesku gjatë homelisë së Meshës - do të thotë: “Më ndihmo, o Atë, të bëj një jetë sa më të thjeshtë! Tepër e ndërlikuar është bërë jeta  - kujtoi në vijim - Vrapohet nga agu, në muzg. Ndërsa duhet zgjedhur një jetë e përkorë, duke shkuar kundër rrymës, siç pati bërë në kohën e vet, Shën Luigj Gonzaga, që e përkujtojmë sot. Të heqim dorë nga gjërat, që e mbushin jetën, por e zbrazin zemrën. Të zgjedhim thjeshtësinë e bukës, për të rigjetur guximin e heshtjes e të lutjes, tharm i jetës njerëzore.

Falja, fjala e tretë

Fjala e tretë, që shpjegoi Papa gjatë homelisë, falja. Vështirë të falim! Na mbetet gjithnjë në zemër pakëz mllef. Po Zoti na kujton se i vetmi koment i Atynës, ai i Jezusit, përqendrohet mbi një frazë të vetme: “Nëse ju ua falni fajet fajtorëve tuaj, Ati juaj  që është në qiell  do t’ju falë edhe ju”, por nëse nuk do të falni, as nuk do të faleni.  Zoti na e çliron zemrën nga mëkatet tona, na fal gjithçka, gjithçka, por një gjë na e kërkon: të mos lodhemi kurrë duke falur. E për këtë duhet bërë një radiografi e mirë e zemrës, për të parë nëse ka mbetur ndonjë gjë, që nuk duhet të jetë aty.

Falja përtërin, bën mrekulli, e shndërron të keqen në të mirë - kujtoi Papa, duke sjellë shembuj nga e gjithë historia e krishterë në shekuj,

Ta kërkojmë këtë hir - kujtoi në përfundim Françesku -  të mos presim që ta bëjnë të tjerët hapin e parë! Ta bëjmë ne, në lutje, në takimin vëllazëror, në dashurinë konkrete të krishterë. Kështu do t’i ngjasim më shumë Atit, që na do, pa shikuar leverdinë e vet. E ai do të dikojë mbi ne Shpirtin e unitetit!

Në përfundim, imzot Charles Morerod, ipeshkëv i dioqezës së Lozanës, Gjenevës dhe Friburgut si dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore zvicerane, i drejtoi fjalën e falënderimit Atit të Shenjtë.

Takim me një delegacion korean

Ndërmjet takimeve të tjera, përveç atij të arritjes, me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset dhe me ipeshkvijtë zviceranë, nuncin apostolik dhe Vëzhguesin e Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, pas Meshe,  përshëndeti tetë anëtarë koreanë të Wcc-së, katër nga Koreja e Veriut e katër nga Koreja e Jugut. Për drekë Papa Françesku ishte i ftuar në Institutin ekumenik të Bossey, ku vizitoi kapelën, së bashku me 30 studentë dhe me atë Lawrence Iwuamadi-n, dekan i parë katolik në historinë e institutit.

21 qershor 2018, 16:48