Kërko

 Logoja e Shtegtimit Ekumenik të Françeskut në Gjenevë Logoja e Shtegtimit Ekumenik të Françeskut në Gjenevë 

Papa në Institutin Ekumenik të Bossey, në Gjenevë

Gjatë vizitës së tij në Gjenevë, të enjten e ardhshme, në përfundim të lutjes ekumenike, Françesku do të shkojë në qendrën ndërkombëtare të Bossey. Pas drekës, do të takojë një grup prej tridhjetë studentësh. Intervista e Dekanit të Institutit i cili, duke u ndaluar tek vizita papnore, flet për një “verë ekumenike”.

R. SH. - Vatikan

Instituti ekumenik i Bossey është Qendër ndërkombëtare takimi, dialogu e formimi i Këshillit Botëror të Kishave (Wcc). Selia e tij është në kështjellën e Bossey (shek XVIII), fshat ndërmjet dy qyteteve, Versoix e Nyon, që shtrihen buzë liqeneve, rreth 25 km. larg Gjenevës. Qysh në Mesjetë, kjo zonë e vogël njihet nga vendasit me emrin “terre sainte”, apo “tokë e shenjtë”, për shkak të historisë së saj të veçantë të krishterë. I themeluar  më 1946, Instituti Bossey  është vendtakimi i njerëzve, që i përkasin kishave, kulturave e prejardhjeve të ndryshme, por që kanë interes të përbashkët për ekumenizmin, studimet akademike dhe shkëmbimet kulturore.

Çdo vit Instituti mirëpret studentë dhe bashkëpunëtorë shkencorë nga mbarë bota për periudha specializimi në teologjinë e ekumenizmit, misionologji dhe etikë shoqërore. Trupi pedagogjik përbëhet nga mësues të konfesioneve e formimeve  të ndryshme teologjike. Këtu kombinohet kërkimi shkencor akademik, mësimi  ndërkulturor përmes jetës në bashkësi, përvoja shpirtërore, ballafaqimi dhe takimi me bashkësitë e tjera fetare si dhe formimi praktik në eko-teologji e në zhvillimin e qëndrueshëm. Instituti dhe diploma, që lëshon, njihen nga Universiteti i Gjenevës.  

Me Papën Françesku, u kalua nga pranvera, në verën ekumenike

Vizita e Papës në Institutin  Ekumenik të Bossey fiton një domethënie të veçantë, për shkak të angazhimit ekumenik të Françeskut.

E shpjegon, në mikrofonin e së dërguarës së Vatican News, Ginevra Helene Destombes, atë Lawrence Iwuamadi:

Papa Françesku e solli diskutimin ekumenik në një nivel krejt tjetër. Pa e mohuar rëndësinë e dialogut teologjik, ngulmon gjithnjë mbi faktin se duhet të ecim së bashku, për të mund ta kuptuar kush është tjetri. E pikërisht në këtë situatë, mund të fitojmë besim e të fillojmë të flasim për çështje më të vështira. Ky është një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj vizite. Pastaj, duke punuar këtu, mund të them se Papa ngjall një interes të madh në Këshillin Ekumenik të Kishave. Shikojmë se që nga fillimi i papnisë së Tij, bashkëpunimi ndërmjet Kishës katolike dhe Këshillit Ekumenik të Kishave, u zgjerua në nivele të ndryshme: si  në shkëmbimin e mendimeve lidhur me çështjen e emigrantëve, ashtu edhe në  thellimin e marrëdhënieve me Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar. Këto gjëra u koordinuan gjithnjë nga Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. E kjo ka shumë rëndësi. Duke qenë këtu e duke shikuar dokumentet e Këshillit Ekumenik të Kishave, vërej se në çdo dy dokumente, citohet Papa Françesku. Prej këndej mund të them se ka shumë interesim e, për këtë arsye e theksoj se po kalojmë nga “pranvera e ekumenizmit”, “në verën e ekumenizmit”. Vera është stina kur piqen frutat! E ardhja e Papës, inkurajim edhe për bashkësinë katolike  në Gjenevë e në mbarë Zvicrën. Jemi të kënaqur dhe e presim plot gëzim, për të dëgjuar fjalët e tij e ngrohtësinë që sjell, sepse Papa Françesku di t’i flasë gjithnjë zemrës së njerëzve.

19 qershor 2018, 17:47