Kërko

 Lutja ekumenike e Papës Lutja ekumenike e Papës 

Papa, në Gjenevë: vetëm së bashku, mund të ecim mirë

Në Qendrën Ekumenike të Gjenevës, Papa kryesoi lutjen ekumenike dhe mbajti fjalimin e parë të shtegtimit të tij të 23-të apostolik, 70 vjet pas lindjes së Këshillit të Kishave, me temë: “Të ecim, të lutemi e të punojmë së bashku”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku arriti në qendrën e Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc), etapa e parë pas zbritjes në aeroportin e Gjenevës, për shtegtimin e tij në Zvicër. E priste, ndërmjet tjerësh, i Nderuarai Olav Fykse Tveit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave. Fjalimit zyrtar të Françeskut i parapriu procesioni i hyrjes dhe lutja e përbashkët e pendesës, pajtimit dhe e bashkimit.

Lajtmotivi i fjalës së Papës drejtuar Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc), me rastin e 70-vjetorit të themelimit, ishte: “Vetëm së bashku mund të ecim mirë!”.  

E fjalët e para: “Të ecësh sipas Shpirtit Shenjt”- shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Galatëve, në gjirin e të cilëve kishte grupe që grindeshin me njëri-tjetrin. E, duke vijuar sipas stilit të tij të mirënjohur, Françesku i shpjegoi një nga një të trija fjalët-porosi, të Apostullit të Popujve. “Të ecësh”; “sipas Shpirtit”, “larg mendësisë së botës”.

Të ecësh

Njeriu - kujtoi Papa - është qenie gjithnjë për udhë. E udha është metaforë,  që zbulon kuptimin e jetës njerëzore, të një jete, e cila nuk kënaqet, por është gjithnjë në kërkim të së resë. Zemra na fton të ecim, të shkojmë, të arrijmë një cak!

Por, të ecësh nuk do të thotë të shkosh vetëm përpara. Kërkon edhe përvujtërinë të kthehesh prapa, kur duhet të kujdesesh për shokët e udhës, sepse vetëm së bashku ecet mbarë e mirë. Të ecësh do të thotë  të bësh vazhdimisht kthesë.

Zoti na fton për këtë, që në zanafillë. Që në kohë të Abrahamit, të cilit i kërkoi ta lërë  tokën e vet e të vihet për udhë, i pajisur vetëm me besimin në Atin (krh Zan 12,1). Po kështu - nënvizoi Papa gjatë Lutjes në Qendrën Ekumenike të Kishave -  edhe Mosiu e Pali, si të gjithë miqtë e Zotit,  jetuan në shtegtim të përhershëm. Por shembullin më të lartë në këtë  drejtim na e dha Jezusi. Ai është udha. Ai, Zoti e mësuesi - vijoi të kujtojë Papa në lutjen ekumenike, në Gjenevë - u bë shtegtar e mysafir ndër ne. E, si u kthye tek Ati, na bëri dhuratë vetë Shpirtin e vet, që edhe ne të kishim forcë të shtegtonim drejt Tij, të bënim atë, që kërkon Pali: të ecnim sipas Shpirtit Shenjt.

Sipas Shpirtit

Por jeta e krishterë – vijon të na kujtojë Pali - e edhe Papa në lutjen  ekumenike - ka një alternativë të papajtueshme: nga njëra anë kërkon të ecim sipas Shpirtit, duke ndjekur hullinë e hapur nga Pagëzimi; e nga tjera, të plotësojmë dëshirën e mishit. Por, çfarë do të thotë kjo shprehje? - pyeti Ati i Shenjtë në vijim - Do të thotë të bësh provë për t’u realizuar, duke ndjekur udhën e posedimit, logjikën e egoizmit, sipas së cilës njeriu  kërkon të shtjerë në dorë, këtu e tani, gjithçka i pëlqen. Nuk e lë Zotin ta shoqërojë atje, ku do Ai, por vijon t’i bindet mendjes së vet. I kemi parasysh pasojat e një udhe të tillë tragjike. Duke mos u ngopur kurrë me pasuri, njeriu i humbet sysh shokët e udhës: atëherë nëpër botë mbretëron indiferenca e madhe. I shtyrë nga instinktet e veta, njeriu bëhet skllav i konsumizmit pa fre.  E do të dëshironte ta bënte të heshtë deri vetë zërin e Zotit.

Larg mendësisë së botës

Të dashur vëllezër e motra - u tha Papa pjesëmarrësve në lutje - sot, më shumë se kurrë, këto fjalë të Shën Palit Apostull na kujtojnë se të ecësh sipas Shpirtit Shenjt, do të thotë ta flakësh tutje mendësinë e botës. Udha e Shpirtit shënohet nga gurët kilometrikë, që na i kujton Pali: “dashuri, gëzim, paqe, shpirtmadhësi”.

Jemi të thirrur, së bashku, të ecim kështu: duke bërë vazhdimisht kthesë, për ta përtërirë mendësinë tonë, që t’i përshtatet asaj të Shpirtit Shenjt. E kjo domethënë të ushqehemi më parë me interesat e Jezusit, pastaj me tonat.

Nuk duhet harruar - vijoi të kujtojë Papa - se Lëvizja  ekumenike, për të cilën Këshilli Ekumenik i Kishave kontribuoi shumë, lindi për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ekumenizmi na vuri në lëvizje, sipas vullnetit të Jezusit e do të mund të përparojë vetëm nëse, duke ecur pas Shpirtit Shenjt, do ta refuzojë çdo sprapsje vetëvlerësuese. Por, pa harruar se duhet të zgjedhim Jezusin, para Apolit a Çefës! Krishtin, para judenjve a grekëve! Zotin, para së djathtës a së majtës.

Pas shumë vitesh angazhimi ekumenik - kujtoi në vijim Papa - në këtë 70-vjetor të Këshillit, i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na e shpejtojë hapin. Nuk mund të shfajsohemi më me distancat. Sot është plotësisht e mundur të ecet sipas Shpirtit Shenjt: të lutemi, të ungjillëzojmë, të shërbejmë së bashku. Këtë mund ta bëjmë, faleminderës Zotit!

Kjo udhë - nënvizoi në përfundim të Lutjes ekumenike Papa - e ka një cak të mirëpërcaktuar: bashkimin! Udha e kundërt, ajo e ndarjes, çon në luftë e shkatërrim. Zoti na kërkon të marrim gjithnjë udhën e bashkimit, që çon në paqe.

Të dashur vëllezër e motra - përfundoi Françesku - desha të vij këtu, shtegtar, në kërkim të unitetit e të paqes. Falënderoj Zotin, sepse këtu, vëllezër e motra,  ju gjeta ju tashmë për udhë.  Kryqi na e orientoftë udhën, sepse atje, në Jezusin, u shembën muret e ndarjes dhe u mposht çdo armiqësi. Atje mund ta kuptojmë se, pavarësisht nga të gjitha ligështitë tona, asgjë nuk mund të na ndajë më nga dashuria e Krishtit (Rom 8,35-39).

21 qershor 2018, 12:12