Papa: energjia duhet, por jo duke shkatërruar qytetërimin

Aleancë për të pëballuar dy dobësi të mëdha të botës: të varfrit dhe ambientin. Këtë u kërkoi Papa pjesëmarrësve në takimin e tranzicionit energjitik dhe kujdesit për shtëpinë e përbashkët, të cilët i priti në Vatikan. Një simpozium prej tri ditësh, mbajtur në Shtëpizën e Piut IV, seli e Akademisë Papnore të Shkencave.

R. SH. Vatikan

Një miliard njerëz nuk kanë energji elektrike! E rëndësishme, kjo padi e  Françeskut, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e takimit mbi tranzicionin  energjitik he kujdesin për shtëpinë e përbashkët, simpozium  i organizuar me dëshirën e sipërmarrjeve shumëkombëshe të energjisë, mbajtur në Vatikan. 

Sfida: energji për të gjithë, pa prishje të ekuilibrit ambiental

Në fjalimin e tij të hollësishëm, të ndriçuar nga Enciklika “Lëvduar qofsh”, Papa u ndalua tek mënyra me të cilën njeriu, në të katër anët e botës, e shuan “etjen” për energji, duke shkaktuar një mori pabarazish, duke vënë në rrezik jetën e qenieve të gjalla mbi tokë e duke arritur deri në atë pikë, sa të helmatisë ajrin.

Që këtu nis sfida për sigurimin e sasive të mëdha energjitike, të mjaftueshme për të gjithë, duke i shfrytëzuar burimet me mënyra, që e shmangin rrezikun e prishjes së ekuilibrit ambiental aq, sa të shkaktojë procese degradimi e ndotjeje, nga të cilat mbarë njerëzimi i sotëm e i nesërm do të mbetej i dëmtuar rëndë.

Çështja energjitike dhe konfliktet në botë

Papa bëri thirrje “për një strategji globale afatgjatë, që krijon siguri energjitike dhe favorizon stabilitetin ekonomik, mbron shëndetin dhe ambientin dhe nxit zhvillimin  e gjithanshëm njerëzor, duke gjetur rrugë të përshtatshme për ta përballuar problemin e ndryshimeve klimaterike”.

U ndalua, më pas tek domosdoshmëria e zhvillimit të energjive të rinovueshme, gjë që  krijon mundësi për pajisjen me energji të vendeve më pak të zhvilluara, posaçërisht, të zonave fshatarake. E më pas urimi, që sigurimi i energjisë për të gjithë, të mos ndikojë mbi ndryshimet e mëtejshme klimaterike, me ngritje  temperaturash në gjithë globin, krijimin e kushteve më të ashpra ambientale dhe thellimin e varfërisë.

Energji, por jo me çdo kusht

Duke shprehur shqetësimin e tij për mungesën e rezultateve në pakësimin e mbingrohjes globale, pavarësisht nga nënshkrimi i Marrëveshjeve të Parisit, Françesku kërkoi më shumë impenjim në këtë drejtim. Qytetërimi - kujtoi - kërkon energji, por përdorimi i energjisë nuk duhet ta shkatërrojë qytetërimin! Kjo, thirrja e Papës, i cili në vijim foli për ndikimin që ushtron ekonomia mbi ambientin dhe theksoi se është e domosdoshme kthesa e vërtetë në fushën energjitike. Duke pasur parasysh se ata që vuajnë më shumë nga mbingrohja globale, me pasojë mungesën e ujit dhe trazirat e tjera në fushën bujqësore, janë më të varfërit e Planetit. Prej këndej,  tranzicioni drejt energjisë së pastër është përgjegjësi që kemi ndaj miliona vëllezërve e motrave tona në botë, ndaj vendeve më të varfëra si dhe ndaj breznive, që do të vijnë – pohoi akoma Papa.

Nuk kemi më kohë për të humbur: e morëm Tokën nga Krijuesi si shtëpi-kopsht, nuk duhet t’ua lëmë breznive të ardhshme si vend të egër!

09 qershor 2018, 16:20