Përfundimi i Ushtrimeve Shpirtërore në Ariccia Përfundimi i Ushtrimeve Shpirtërore në Ariccia 

Papa emëron don José Tolentino Calaca de Mendonca arkivist e bibliotekar të ri të Kishës së Shenjtë Romake

Papa emëroi arkivist e bibliotekar të ri të Kishës Romake don José Tolentino de Mendonça, teolog e poet, duke e ngritur në të njëjtën kohë në dinjitetin e kryeipeshkvit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ka emëruar sot arkivist dhe bibliotekar të ri të Kishës së Shenjtë Romake don José Tolentino Calaca de Mendonça, teolog e poet, deri më sot zëvendës-rektor i Universitetit Katolik portugez të Lisbonës dhe këshilltar i Këshillit Papnor të Kulturës, duke e ngritur, në të njëjtën kohë, në selinë titullare të Suava-s, me dinjitetin e kryeipeshkvit.

Don Tolentino, 53 vjeç, që do ta marrë detyrën e tij të re më 1 shtator, lindi në Madeira (Portugali) më 15 dhjetor të vitit 1965. U shugurua meshtar i dioqezës së Funchal (Madeira) më 28 korrik 1990. Është laureuar në teologji në Universitetin portugez katolik, në Lisbonë në vitin 1989 dhe pastaj vazhdoi studimet biblike, në Institutin biblik Papnor, në Romë, në vitin 1992. Doktoraturën në teologjinë biblike e bëri në Universitetin portugez katolik në Lisbonë, në vitin 2004.

Mes tjerash punoi si pedagog në seminarin dioqezan të Funchalit dhe rektor i Kolegjit Papnor Portugez në Romë. Konsulent i Këshillit Papnor për Kulturë që nga viti 2011, ka botuar vëllime e artikuj të shumtë në fushat teologjike dhe ekzegjetike, si dhe vepra të ndryshme poetike.

Meshtari portugez, don Josè Tolentino Mendonça, teolog e poet i njohur në të gjithë botën, predikoi ushtrimet shpirtërore për Papën Françesku e anëtarët e Kuries Romake, për Kreshmët e këtij viti, shkurtin e kaluar, në shtëpinë e “Mësuesit Hyjnor” në Ariccia afër Romës.

26 qershor 2018, 16:33