Papa: edukimi katolik duhet t’i japë shpirt botës globale
R. SH. - Vatikan
“Të kontribuohet, përmes edukimit, në ndërtimin e një ardhmërie, në të cilën dinjiteti i njeriut dhe vëllazërimi universal të jenë burimet globale, që mund të shfrytëzohen nga çdo qytetar i botës”. Ky, mandati i Papës për anëtarët e Fondacionit Gravissimum Educationis, themeluar nga vetë Françesku më 28 tetor 2015, me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës me të njëjtin emër, të Koncilit II të Vatikanit,
Përgjegjësia e njeriut përhapet në kohë
Pas përshëndetjes së kardinalit Giuseppe Versaldi, prefekt i Kongregatës për Edukimin katolik, në emër të 80 pjesëmarrësve në audiencë, mbajtur në Sallën e Koncistorit, të impenjuar këto ditë në kuvendin “Të edukosh, do të thotë të shndërrosh”, Papa nënvizoi se “vetëm duke ndryshuar edukimin, mund të ndërrohet edhe bota”.
Edukimi katolik dhe përgjegjësia morale e njeriut të sotëm
Edukimi katolik - theksoi më pas - nuk kufizohet vetëm në formimin e mendjeve të afta për të shikuar larg. Ai e di se, përveç shtrirjes në hapësirë, përgjegjësia morale e njeriut të sotëm vijon të përhapet edhe përmes kohës, e vendimet e sotme, të ndikojnë fuqimisht edhe mbi breznitë e ardhshme.
Prandaj Papa i këshilloi të pranishmit të bëjnë rrjete, domethënë, të thellojnë “bashkëpunimin e ngushtë” ndërmjet institucioneve shkollore e universitare, për ta fuqizuar nismën e edukimit dhe të kërkimit shkencor, duke u pasuruar me vlerat e njëri-tjetrit, për të qenë më efikasë në nivelin intelektual e kulturor. E ftoi edhe, e sidomos, “për bashkëpunim ndërmjet dijeve, shkencave e disiplinave të ndryshme”.
Jepini shpresë botës!
Jepini shpresë botës - i porositi të pranishmit Papa - duke i ndriçuar ndryshimet shoqërore me premtimin e shëlbimit të krishterë.
Pastaj u ndalua edhe tek ekologjia e gjithanshme, që mund të realizohet përmes kërkimit shkencor, besuar universitetit, por që nuk mungon as në misionin e Fondacionit Gravissimum Educationis. Përgjigjja - theksoi - duhet kërkuar pikërisht tek zhvillimi dhe kërkimi për një ekologji të gjithanshme.
Identiteti, cilësia, e mira e përbashkët
Studiuesve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë Papa u uroi një punë, që të bazohet mbi tre kritere “themelore”: identitetin, cilësinë dhe të mirën e përbashkët. Këto vlera janë të domosdoshme për të vijuar ecjen në hullinë e qytetërimit të krishterë e të misionit ungjillëzues të Kishës.
Nuk duhet harruar se të gjithë i përkasim familjes njerëzore. “Duhen zgjeruar, prandaj, horizontet e së mires, duke i edukuar të gjithë me vetëdijen se i përkasin një familjeje të vetme njerëzore”.