Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
 Papa kremton Korpin e Krishtit Papa kremton Korpin e Krishtit 

Papa e kremtoi Korpin e Krishtit në Ostia

Besimtarët e Ostias pritën sot për vizitë Françeskun, me rastin e Solemnitetit të Korpit të Krishtit, 50 vjet pas kremtimit historik të Palit VI, në trojet ostiense.

R. SH. - Vatikan

Qytetarët e Ostias e pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm Papën Françesku. Sot, 3 qershor - 50 vjet pas Palit VI - një Papë shkeli përsëri në këtë lagje të Romës, përballë detit, për të kremtuar Solemnitetin e Corpus Domini. Lagje e plagosur vitet e fundit nga veprimtaria e organizatave kriminale. Por që kërkon me ngulm ta përtërijë shoqërinë civile e ta rinojë vazhdimisht bashkësinë e krishterë. Pritje tejet e përzemërt. Që në çastin e arritjes në Bashkinë.

Është hera e tretë që Papa Bergoglio e viziton këtë vend. Herën e parë, më 2015, vizitoi  famullinë kushtuar Marisë, Mbretëreshë e Paqes, ndërsa herën e dytë, më 19 maj të vitit të kaluar, shkoi për të bekuar banesat e një zone popullore.

E sot, në orën 18.00, Papa nisi, në Kishën kushtuar shën Monikës, Nënës së Shën Agostinit, kremtimin e njërit nga solemnitetet më të dashura për popullin e krishterë: atë të Korpit të Krishtit. Prej këndej, besimtarët e Shën Monikës ishin posaçërisht të angazhuar gjatë gjithë kremtimit të Françeskut si dhe gjatë procesionit me të Shenjtnueshmin Sakrament, deri në famullinë e Shën Bonarias, në  Zonën e Re të Ostias, ku Ati i Shenjtë u dha banorëve, bekimin eukaristik.  

Vizita e Françeskut, shenjë e afërsisë dhe e dashurisë për Ostian

Për besimtarët e Ostias, kjo vizitë - pas Meshës në kishën ostiense të Regina Pacis, në maj 2015 -  ishte dëshmi e afërsisë dhe e dashurisë së Françeskut për këtë bashkësi të krishterë. Papa deshi të tregojë, kështu, se ky vend nuk është vetëm simbol i akteve të paligjshme mafioze. Duke u bërë dëshmitar i shumë veprave të mira, që kryhen në Ostia, posaçërisht i angazhimit të bashkësive famullitare për të ndihmuar familjet nevojtare. E kjo e Shën Monikës ishte sot në qendër të vëmendjes, sepse Françesku e kremtoi Meshën pikërisht këtu, në sheshin para famullisë, ashtu si pati bërë Gjon Pali II, më 8 maj 1983.

Lidhje e fortë e famullisë së Shën Monikës me Palin VI

Të gjithë të pranishmit dëshironin të ishin sa më pranë Papës, për një shikim nga afër, për një shtrëngim dore, për një çikje sado kalimtare, që nuk harrohet kurrë.  Po Papa u kujtoi se ishin aty për kremtimin e Corpus Domini, sakramentit të Eukaristisë. Ashtu si pati bërë edhe një Papë tjetër, që e vizitoi i pari këtë vend, më 13 qershor 1968: Pali VI. Edhe Papa Pali ishte këtu pikërisht për kremtimin e Corpus Domini. E po këtu bekoi gurin e parë të famullisë së Shën Monikës, në ndërtim e sipër. Prandaj në këtë vend gjithçka flet për Shenjtin e ardhshëm, ndonëse nga vizita e tij i vetmi kujtim që ka mbetur, është stema e Palit VI, në fasadën e Kishës.  

Corpus Domini me Papën, çast përtëritjeje për të gjithë

Për shumëkënd, kjo vizitë e Françeskut ishte shenjë konkrete e mundësisë për t’u përtërirë e edhe për t’u rinisur, pas ngjarjeve të kriminalitetit, rrëfyer këto ditë nga kronika. Papa Françesku - shprehen shumë besimtarë - me këtë vizitë dhe me Meshën e Korpit të Krishtit, rifreskoi vetëdijen se të gjithë janë bij të Zotit, kudo e kushdo qofshin, e u dha forcë për të ecur përpara, pas episodeve të kriminalitetit të kohëve të fundit. “Mundësi për të gjithë - kujtojnë banorët e lagjes romake buzë detit. - Prania e Françeskut në një festë kaq të dashur për besimtarët, ishte vërtet pikënisje për të gjithë!”.

 

03 qershor 2018, 20:00