Papa bekon pishtarin e shtegtimit Macerata-Loreto
R. SH. - Vatikan
Sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku bekoi Pishtarin e Paqes të Shtegtimit të 40-të Macerata-Loreto, që bëhet gjithnjë në këmbë në Itali. Pas audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë përshëndeti ipeshkvin e nderit të Fabriano-Matelica, imzot Giancarlo Vecerrica, ideator i shtegtimit.
Papa u dha dorën 20 atletëve, që sollën Pishtarin në Romë dhe u premtoi se të shtunën do t’u telefonojë. Ati i Shenjtë mori prej tyre si dhuratë pakon e shtegtarit e bekoi Pishtarin. Pas audiencës së përgjithshme, atletët u nisën për në stadiumin Helvia Recina të Maceratës, ku më 9 qershor, ndezja e mangallit të madh tradicional do të përurojë shtegtimin. Fillimisht do të kremtohet mesha e pastaj, do të nisë udha më këmbë për më se 300 km. Pishtari i Paqes do të kalojë në zonat e dëmtuara nga tërmeti i gushtit dhe i tetorit 2016, në qendër të Italisë.