Papa drekon me të varfrit Papa drekon me të varfrit 

Mesazhi i Papës për Ditën e të varfërve: angazhim pa protagonizëm

Varfëria u krijua nga mëkatet, që lindin pasoja dramatike: përballë një farë “fobie”, apo përçmimi për të varfërit, të përgjigjemi duke u angazhuar e duke bashkëpunuar me realitete të tjera të solidaritetit. Ky, mendimi kryesor i Mesazhit të Papës për Ditën botërore të të varfërve, që do të kremtohet më 18 nëntorin e ardhshëm.

R. SH. Vatikan

Në botën tonë, të zhytyr në një mori formash të varfërisë, shpesh “pasuria shikohet si qëllimi i parë”. Prej këndej, shumë nisma “synojnë më tepër për t’i pëlqyer vetvetes, sesa për ta dëgjuar vërtet zërin e të varfrit”. Ndërsa bashkësia e krishterë  “duhet t’u japë shenja afërsie e lehtësimi”, atyre që kanë nevojë e që i kemi gjithnjë parasysh, duke bashkëpunuar edhe me realitete të tjera solidariteti. Ky, thelbi i Mesazhit të Papës për Ditën e dytë botërore të të varfërve, që sivjet do të kremtohet më 18 nëntor, me temë: “Ky i varfër bërtet e Zoti e dëgjon!”.

Nisma, parë si një çast i privilegjuar i ungjillëzimit, u themelua nga Françesku, në përfundim të Jubileut të Mëshirës e u fiksua në të Dielën XXXIII të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, me Letrën Apostolike “Misericordia et misera”. Tani pohohet se synon të jetë “përgjigje e vogël” për të varfrit, që të mos mendojnë se “britma e tyre humbet në zbraztësi”, por të priten plot me gëzim.

Shpesh, në bashkëpunim me realitetet e tjera, të cilat nuk shtyhen nga feja, por nga solidariteti njerëzor, mund të sigurohet ndihma, që nuk mund ta realizojmë të vetëm. Të pranosh se në botën e pafundme të varfërisë, edhe ndërhyrja  jonë është e kufizuar, e ligshtë dhe e pamjaftueshme, është si t’i shtrish dorën tjetrit, që bashkëpunimi reciprok të mund ta arrijë qëllimin  në mënyrë sa më të frytshme.

Të bashkojmë përvujtërisht përvoja të ndryshme

Na shtyn në këtë veprimtari, feja dhe urdhëri i dashurisë - shkruan Papa - duke u ndaluar posaçërisht tek foljet të bërtasësh, të përgjigjesh e të çlirosh - “por dimë të pranojmë edhe forma të tjera ndihme e solidariteti, që kanë pjesërisht, të njëjtat objektiva, duke pasur mirë parasysh të mos e harrojmë objektivin tonë, domethënë, t’u prijmë të gjithëve kah Zoti dhe shenjtëria”.

Dialogu ndërmjet përvojave të tjera dhe përvujtëria për të dhënë edhe ne ndihmesën tonë, pa protagonizma, është përgjigje plotësisht ungjillore, të cilën mund ta realizojmë.

Varfëria u krijua nga të këqijat e lashta, fobia, nga të sotmet

Nga ana tjetër - shton - varfëria nuk kërkohet, por krijohet nga egoizmi, nga fodullëku, nga nepsi, të këqija të lashta sa vetë njeriu, “mëkate, që rëndojnë mbi kurrizin e shumë njerëzve të pafajshëm, duke sjellë me vete pasoja dramatike”. Nuk është e rastit që Papa kujton një farë fobie bashkëkohore ndaj të varfërve, të cilët shikohen edhe si njerëz, që sjellin pasiguri e mungesë stabiliteti, prej këndej, janë për t’u përjashtuar e për t’u mbajtur sa më larg. Përballë të varfërve, nuk duhet luajtur, për të pasur përparësinë e ndërhyrjes - reflekton Françesku- Përkundrazi: duhet të pranojmë përvujtërisht se Shpirti Shenjt frymëzon shenja, të cilat flasin për përgjigjen e afërsisë së Zotit.

Zoti i dëgjon ata që shtypen nga politika të padenja

Zoti - siguron Papa - i dëgjon të varfrit kur u merret nëpër këmbë dinjiteti e, pavarësisht nga kjo, kanë forcë t’i lartojnë sytë drejt lartësive, për të marrë dritë e ngushëllim. Krishti e dëgjon zërin e atyre, që persekutohen, në emër të drejtësisë së rreme, që shtypen nga politika të padenja për këtë emër dhe tmerrohen nga dhuna.

Heshtja e dëgjimit

Në atë masë - shkruan Papa - që arrihet t’u jepet kuptimi i drejtë dhe i vërtetë i pasurisë, njeriu rritet në humanitet dhe bëhet i aftë për ndarje të përbashkët, në “heshtjen e dëgjimit”.

Njëri kah tjetri

Ftesa është ta ndjejmë të gjithë veten “borxhlinj” përballë të varfërve, në mënyrë që,  “duke ia shtrirë reciprokisht duart njeri-tjetrit, të realizohet takimi shëlbues i fesë, të bëhet faktike bamirësia e të lindë shpresa për të vijuar të sigurt udhën drejt Zotit, që vjen”.

 

14 qershor 2018, 15:26