Papa Françesku dhe Presidenti francez Macron shkëmbejnë mendime e dhurata. Papa Françesku dhe Presidenti francez Macron shkëmbejnë mendime e dhurata. 

Macron i dhuron Papës "Ditarin e një famullitari katundi"

Më 26 qershor 2018, gjatë audiencës në Vatikan, Papa Françesku dhe Presidenti francez Macron shkëmbyen mendime e dhurata. Dhurata e presidentit, “Ditari i një famullitari katundi”

R. SH. - Vatikan

Pak ditë më parë, gjatë takimit në Vatikan, Papa dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përveç shkëmbimit të mendimeve lidhur me situatat më kritike të botës së madhe, shkëmbyen edhe dhurata. Simbolike, nga të dyja palët. Papa i dhuroi presidentit Macron, medaljen me figurën e Shën Martinit të Tours, që ndan përgjysëm mantelin me një të varfër të mardhur, si të donte t’i kujtonte se të varfërit, e sidomos emigrantët, në Francë e kudo në botë, vijojnë të vuajnë nga e ftohta e nga uria, posaçërisht në këtë stinë shpërnguljesh biblike të popullsive. Prej këndej, kanë ende nevojë, të paktën, për një copëz nga manteli i të pasurve…

Ndërsa Macron i dhuroi Papës një variant të vyer, në italisht, të veprës së famshme “Journal d’un curé de campagne”, vlerësuar me Grand prix dell’Académie Française, nga i cili frymëzohet edhe filmi i mirënjohur i Robert Bresson (1950). Në libër janë të pranishme ndjeshmëri me vlera të jashtëzakonshme shpirtërore: ajo e famullitarit të Arsit, Shën Gjon Vianejt dhe e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, që të dy, shenjtëruar nën papninë e Piut XI, në vitin 1925. Ashtu si Shën Gjon Maria Vianej, prifti i ri, protagonist i romanit,  përflaket nga zelli apostolik për ta shenjtëruar  grigjën e besuar nga Zoti. Ndërsa, si Tereza, ndjek udhën e fëmijërisë shpirtërore. Edhe  shprehja “Gjithçka është hir”, me të cilën mbyllet romani, nuk është frazë e Bernanos, por e Shenjtores së famshme.

Romani, thënë me dy fjalë, merret me një prift të ri të saposhuguruar, që  caktohet famullitar në Ambricourt, katund i vogël francez. Prifti i ri dëshiron ta  kryejë detyrën e tij baritore me frymën e Ungjillit, gjë që i krijon vazhdimisht situata të vështira me besimtarët. Ai dëshiron t’i shenjtërojë, atyre u duket tepër e vështirë kjo udhë… I pushuar nga ankthi, prifti i ri ia beson shqetësimet e shpirtit një ditari sekret, ku e zbraz me fund vetveten, duke u çliruar shpirtërisht…

Aty gjejmë zellin e zjarrtë të një meshtari, që e ka tejet të vështirë t’i rikthejë besimtarët dyshimtarë në udhën e fesë. Që mundohet t’i mësojë si të heqin dorë nga mëkatet. T’i rrëfejë. Por edhe t’i qortojë rëndë, kur është nevoja, pa pyetur fare për pasojat… e pasojat nuk vonojnë. Sëmuret nga kanceri e vdes, pak më vonë, në shtëpinë e një ish-shoku të seminarit, prift i shpriftëruar, tuberkuloz, që e kishte braktisur meshtarinë për hir të një gruaje. Atij ia kërkon zgjidhjen e mëkateve në çastet e fundit të jetës. Tjetri mbetet tepër keq, duke menduar se famullitari i famshëm i Ambricourt shkoi të vdesë pikërisht nën strehën e tij mëkatare. Po prifti, tani që bëhet gati të kapërcejë shtegun ndërmjet jetës tokësore e asaj qiellore, zbulon se e gjithë udha e tij ishte udhëhequr nga hiri. E, duke menduar ku po vdes, pëshpërit fjalët e fundit: “Ç’rëndësi ka? Gjithçka është hir!”.

Ka shumë mundësi që me këtë dhuratë simbolike, Macron deshi të kërkonte pikërisht hir - për presidencën e tij, ashtu si Papa, ndihmë për të varfërit, me kujtimin e Shën Martinit dhe mantelit të ndarë përgjysëm!

30 qershor 2018, 11:16