Kërko

Lutja e Papës për qershorin: interneti të favorizojë solidaritet

Në videomesazhin e ndjetit të lutjes për këtë muaj, promovuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes për Papën, Françesku na fton t’i kërkojmë Zotit që rrjetet shoqërore “të mos e anulojnë personalitetin, por të favorizojnë solidaritetin dhe respektin e tjetrit, me gjithë ndryshimet”.

R.SH. - Vatikan

U kushtohet rrjeteve shoqërore dhe internetit ndjeti i lutjes së Papës Françesku për muajin qershor, që u bë i njohur sot përmes videomesazhit në spanjisht, përkthyer në shtatë gjuhë të tjera, realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes për Papën.

Interneti, dhuratë e Zotit e përgjegjësi e madhe

         Ati i Shenjtë nënvizon se “interneti është dhuratë e Zotit, por edhe përgjegjësi e madhe”. Duke përmendur mesazhin e vet për Ditën Botërore të Komunikimeve 2016, Papa shpjegon më pas se “komunikimi, hapësirat e mjetet e tij kanë sjellë zgjerimin e horizontit të shumë njerëzve”.

Interneti të jetë hapësirë humaniteti, jo mënjanimi

         Papa i fton të gjithë internautët të përfitojnë nga “mundësia për takim e solidaritet, që ofrojnë rrjetet shoqërore”. Bën, pastaj, thirrje që këto rrjete “të mos jenë hapësira mënjanimi nga shoqëria, por vende konkrete, hapësira të pasura me humanitet”. E së fundi, Françesku kërkon të lutemi që “rrjetet shoqërore të mos e anulojnë personalitetin tonë, por të favorizojnë solidaritetin dhe respektin për tjetrin, me gjithë ndryshimet”.

05 qershor 2018, 17:04