Françesku: ta takojmë tjetrin për ta njohur e për ta kuptuar
R.SH. - Vatikan
“Nevojitet ndryshimi i mendësisë: të kalojmë nga mënyra e konsiderimit të tjetrit si kërcënim për rehatin tonë, në vlerësimin e tij si dikush, që me përvojën e jetës e më vlerat e tij, mund të sjellë shumë e të kontribuojë në pasurimin e shoqërisë sonë. Prandaj, qëndrimi themelor është ‘ta takojmë tjetrin, për ta pritur, për ta njohur e kuptuar’”.
Me këto fjalë, lexuar nga Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, Papa Françesku u drejtohet pjesëmarrësve të Bisedimeve Seli e Shenjtë – Meksikë mbi emigracionin ndërkombëtar, që po vijojnë në Shtëpinë Piu IV në Vatikan, seli e Akademisë Papnore të Shkencave.
Bashkëpunimi ndërkombëtar si përgjigje për sfidën humanitare
Duke pasur parasysh përmasat botërore të fenomenit të emigracionit, si edhe pamundësinë e shumë shteteve për t’i bërë ballë kësaj emergjence humanitare, Papa këshillon “bashkëpunimin ndërkombëtar, në të gjitha fazat e emigracionit” si përgjigje “konkrete dhe të denjë” për këtë sfidë.
Ҫështja e emigracionit: jo numra, por njerëz
Në mesazh, Ati i Shenjtë kujton elementin themelor, që duhet mbajtur parasysh: “nuk janë në lojë vetëm numra – pohon ai – por njerëz me historinë, kulturën, ndjenjat dhe aspiratat e tyre. Ata, që janë vëllezërit e motrat tona, kanë nevojë për mbrojtje të vazhdueshme, pavarësisht nga statusi i tyre i emigracionit”.
Fëmijët emigrantë dhe viktimat
Kujdes të veçantë, sipas Papës, u duhet kushtuar fëmijëve emigrantë, familjeve të tyre e, sidomos, viktimave të trafikut të njerëzve dhe të konflikteve mizore:
“Të gjithë këta shpresojnë se do ta kemi guximin për ta shembur murin e asaj bashkëfajësie të leverdisshme e të heshtur, që e rëndon gjendjen e tyre të braktisjes, si edhe do ta kthejmë drejt tyre vëmendjen, dhembshurinë e përkushtimin tonë”.