Dje u organizua treni i fëmijëve: 500 nxënës takohen me Papën
R. SH. - Vatikan
Dje, 9 qershor, u rinis “Treni i fëmijëve”, nismë e organizuar nga “Oborri i jo besimtarëve”, i Këshillit Papnor të Kulturës, në bashkëpunim me Hekurudhat e Shtetit Italian, për t’u dhuruar të vegjëlve, që jetojnë në kushte të vështira, një ditë gëzimi e, njëkohësisht, për ta sensibilizuar shoqërinë lidhur me disa probleme të mprehta, që kanë të bëjnë me ta.
Prej këndej, tema e këtij viti është rikualifikimi urban i periferive, me vëmendje të përqendruar tek mënyra si i shikojnë më të vegjlit hapësirat dhe realitetet, që i rrethojnë,
Në trenin gazmor shtegtuan drejt Vatikanit nxënësit e katër shkollave të rrethinave të mëdha të Milanos, të Gallarates, Corveto-s e Barion-ës. Por edhe fëmijë nga rrethinat e Romës. Kulmi i ditës, takimi i fëmijëve me Papën Françesku, para të cilit shtegtarët e vegjël treguan udhën pedagogjike, që kanë bërë, në përpjekjen për t’i zbuluar lagjet e qytetit, duke theksuar edhe idetë, që u lindën, për përmirësimin e cilësisë së jetës ndër to.
“Qyteti mik” është edicioni e gjashtë i “Trenit të fëmijëve” i cili, qysh më 2013 – falë Hekurudhave Italiane - sjell në Vatikan me qindra fëmijë, që jetojnë në kushte të vështira. Ndërmjet vogëlushëve të edicioneve të mëparshme, për shembull, kanë qenë fëmijë emigrantësh, disa në rrezik të humbisnin shkollën, bij të burgosurish e të vegjël të qyteteve të Italisë qendrore, të dëmtuara rëndë nga tërmeti.
Dhuratë e jashtëzakonshme, kjo ditë! E paharrueshme e plot gëzim, për fëmijë, që kanë provuar qysh në moshë të njomë ç’do të thotë trishtim. E ditë plot optimizëm, lindur nga takimi me Papën, që di ta shndërrojë trishtimin në shpresë e që i do aq shumë të vegjlit.