Kërko

Dita kundër torturës. Papa: “Është mëkat i rëndë”

Kremtohet sot Dita ndërkombëtare për mbështetjen e viktimave të torturës. I kujton botës se, pavarësisht nga ndalimi i saj në nivel ndërkombëtar, edhe sot e kësaj dite një mori njerëzish trajtohen në mënyrë çnjerëzore.

R. SH. - Vatikan

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 26 qershorin Ditë ndërkombëtare në mbështetje të viktimave të torturës. OKB-ja e ka  dënuar gjithnjë torturën, si një nga aktet më të shëmtuara, që mund të kryejë njeriu mbi njeriun. Sipas së drejtës ndërkombëtare, tortura, si krim, ndalohet absolutisht e nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Kjo zbatohet nga të gjithë anëtarët  e bashkësisë ndërkombëtare, pa marrë parasysh nëse shteti i ka ratifikuar apo jo, traktatet ndërkombëtare, të cilat e ndalojnë shprehimisht torturën.

Deklarata e të drejtave të njeriut

Ky kremtim ka vlerë të veçantë sivjet, për faktin se më 10 dhjetor 2018 do të kremtohet 70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut që, në nenin e saj n. 5 sanksionon: “Asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese”. I miratuar më 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ky dokument fiton rëndësi historike themelore, si dëshmi e parë e vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare për t’i njohur  universalisht të drejtat, që i takojnë çdo njeriu. E ndërmjet tyre, e drejta për të mos iu nënshtruar torturës.

Tortura sot nuk është kujtim, po realitet

Por, pavarësisht nga ç’shkruhet në letra, në realitetin e përditshëm tortura nuk është thjesht kujtim i një të kaluare çnjerëzore, që nuk duhet të përsëritet kurrë më! E ndaluar sipas së drejtës ndërkombëtare, ajo edhe sot është e pranishme në një mori vendesh, ku njerëzit vijojnë të torturojnë e të torturohen. Të persekutojnë e të persekutohen. Madje t’i nënshtrohen deri genocideve dhe formave të tjera të rafinuara të trajtimit mizor, poshtërues, çnjerëzor. Tortura, pra, nuk është thjesht kujtim i një së kaluare të turpshme. Është realitet.

Angazhimi i Papës

Gjatë papnisë së tij, më se një herë Ati i Shenjtë e ka dënuar ashpërsisht këtë krim të shëmtuar. “T’i torturosh njerëzit është mëkat mortar, tepër i rëndë”. Me këto fjalë Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 22 qershorit 2014, kujtonte Ditën për mbrojtjen e viktimave të torturës. Po Papa nuk kufizohet vetëm me dënimin e kësaj njolle të turpshme në ballin e njerëzimit. Shkon më tej, duke i kërkuar mbarë Kishës të mos rrijë duke i shikuar “nga dritarja”, ata që torturohen, por të përpiqet për zhdukjen e kësaj plage e t’i mbështesë viktimat dhe familjarët e tyre.

Vizita e Papës në Auschwitz

Kundër torturës Papa foli edhe gjatë shtegtimit të tij në Poloni, ku vizitoi një nga qendrat më të tmerrshme të torturës, kampin nazist të përqendrimit Auschwitz- Birkenau. Ishte një vizitë e heshtur, por që fliste shumë më tepër se çdo fjalë. Heshtje, që i kujtoi njerëzimit se mizoritë nuk kanë përfunduar në Auschwitz e Birkenau. Tortura është gjithnjë mes nesh. Sot. Vijon. Shumë të burgosur i shtrohen torturës, për t’i bërë të flasin. Eshtë e tmerrshme që, edhe sot, të shikosh burra a gra ndër burgje të mbushura sa më nuk zënë. Ku jetojnë si kafshë. Torturë tjetër kjo. Jo dikur. Sot.

Nata pa gjumë, në lutje

Si çdo vit, më 26 qershor, Acat (Shoqata e krishterë ekumenike), që vepron kundër torturës dhe dënimit me vdekje, organizon në mbarë botën,  Netë lutjeje, për t’u shprehur afërsinë dhe mbështetjen  njerëzve, që kanë provuar  a vijojnë të provojnë tortura ose trajtime çnjerëzore e poshtëruese.

26 qershor 2018, 13:10