Kërko

Shpërthimi i vullkanit të Fuegos në Guatemalë Shpërthimi i vullkanit të Fuegos në Guatemalë 

Dhimbja e Papës Françesku për viktimat e vullkanit të Guatemalës

Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku siguron lutjen e vet për të vdekurit dhe për sa janë dëmtuar nga shpërthimi i vullkanit të Fuegos, në Guatemalë.

R.SH. - Vatikan

Dhimbje për fatkeqësinë e papritur natyrore e lutje për sa janë dëmtuar dramatikisht nga shpërthimi i vullkanit të Fuegos, në Guatemalë. Këto janë ndjenjat, që Papa Françesku shpreh për vendin e Amerikës Qendrore, në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar nuncit apostolik në Guatemalë, imzot Nicolas Thevenin.

Lutjet e Papës Françesku për Guatemalën

         Ati i Shenjtë, lexohet në komunikatën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, tregon afërsi dhe ngushëllon familjarët e viktimave, që deri tani, janë rreth 70 të vdekur e më se 50 të plagosur. Gjithashtu, u shpreh dhimbjen e vet edhe të gjithë të dëmtuarve nga llava në jugperëndim të Qytetit të Guatemalës. Flitet për rreth 3 mijë të shpërngulur. Papa Bergoglio i kërkon për ta Zotit solidaritet, qetësi shpirtërore dhe shpresë të krishterë, si edhe flet me mirënjohje për të gjithë punonjësit e ndihmës së shpejtë.

Karitasi i Guatemalës: ndoshta mijëra nën hi

         Sipas Karitasit vendas, ndihmat nuk kanë mbërritur akoma në zonat më të populluara, ku dëmet mund të jenë shumë më të mëdha. Personat e përfshira në këtë fatkeqësi mund të jenë rreth 1 milion e 700 mijë vetë, ndërsa dëmet në strukturat dhe infrastrukturat publike, sidomos rrugë e ura, mund të jenë vërtet të mëdha, gjë që e rrit vështirësinë e komunikimit.

05 qershor 2018, 15:22