Kërko

 Papa në sofër me të varfërit Papa në sofër me të varfërit 

Dita për Bamirësinë e Papës. Imzot Galantino: të jemi të pasur me humanitet

Në Itali u kremtua sot Dita për Bamirësinë e Papës. Imzot Galantino: rast për të qenë të pasur me bamirësi e për t’i përqafuar të varfërit, si Françesku.

R. SH. - Vatikan

U kremtua sot Dita për bamirësinë e Papës, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, në bashkëpunim me Obolin apo Lëmoshën e Shën Pjetrit,  ditë që, çdo vit, kremtohet në të dielën më pranë 29 qershorit, Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.

Rast për të përqafuar, me Papën, mjerimin

Sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Nunzio Galantino, u drejtoi një letër rreth 25 famullive italiane, në të cilën shpjegon se kjo nismë “është rast për t’i shtuar dorën tonë, dorës së Papës”. E për ta përqafuar, së bashku me të, mbarë njerëzimin, si bij të Zotit, të pasur me mëshirë.

Krahët e Papës: fe e bamirësi

E Françesku na shpjegon: “Mendoj se Papa ka dy krahë të gjatë - ai, që merret me ruajtjen e fesë, e aty puna bëhet nga Kongregata për Doktrinën e Fesë,  e prefekti duhet të jetë kardinal”, e krahu tjetër i gjatë i Papës, “ai që merret me bamirësinë, e atje duhet një kardinal, ipeshkvi polak Krajevski”: këto, dy krahët e gjatë të Papës.

Nismat e reja të Lëmoshtarisë Apostolike

E udhëhequr nga imzot Krajevski, Lëmoshtaria papnore i ka shumëfishuar nismat e bamirësisë. Vetë kreu i saj shihet shpesh nëpër rrugët e Romës, ku takohet  me të varfërit më të varfër. Ia kujton këtë vetë Papa, çdo ditë: “Dil! Në zyrën tënde nuk ka nevojë për shkritore!”. E ai del. Duke dalë, ka ndërtuar në një kënd të Sheshit të Shën Pjetrit dushe e struktura shëndetësore për të pastrehët e nevojtarët, të cilët gjithnjë më shpesh, me grupe, bëjnë vizita private në Kapelën Sikstine dhe shoqërohen në shfaqje të ndryshme, për pakëz prehje, në jetën e tyre aspak të lehtë. Në pritje të nismave të reja…

 

24 qershor 2018, 15:22