Papa Françesku, gjatë vizitës në shkollën Elisa Scala në Romë Papa Françesku, gjatë vizitës në shkollën Elisa Scala në Romë 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Selisë së Shenjtë

Papa Françesku tha sot në mesditë lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Solemnitetin e Trinisë Shenjte. Kujtojmë se deri të dielën e kaluar thuhej lutja e Mbretëreshës Qiellore. Veprimtari të tjera nga java e kaluar.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kujtoi sot edhe të Lumen e re, Leonella Sgorbati, e cila u shpall e tillë dje në Piacenza të Italisë. Meshën e lumnimit për murgeshën martire të Institutit të Motrave Misionare të Zojës së Ngushëllimit e kremtoi prefekti i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

Rosa Sgorbati, lindur në Gazzola të Piacenza-s, hyri 20-vjeçare ndër murgeshat Misionare të Zojës së Ngushëllimit. Bëri kushtet pas tri vjetësh, duke marrë emrin e motër Leonella-s. Pastaj u nis për Kenia, ku shërbeu sidomos si mami. Në vitin 2001, filloi të shkonte sa në Kenia, aq edhe në Somalinë e përfshirë nga lufta civile. Në Mogadiscio, themeloi një qendër për përgatitjen e infermierëve dhe të mamive të vendit. Më 17 shtator 2006, rreth mesditës, motër Leonella kthehej në shtëpi, pas leksionit në spital. Shtatë të shtëna e plagosën rëndë. Për ta mbrojtur humbi jetën edhe myslimani, që e shoqëronte, Mohamed Mahmud. Ajo vetë vdiq në spital, duke thënë: “Falje, falje, falje”. Fama e martirizimit të kësaj murgeshe bëri që të hapej çështja e lumnimit në vitin 2013. Dje u shpall e lume, pasi Papa Françesku e njohu martire me anë të dekretit përkatës. Trupi i motër Leonella-s ndodhet në varrezat e Nairobit, në Kenia, por pritet të zhvendoset në kishën Flora Hostel të kryeqytetit keniot.

Papa Françesku: ekuacioni terrorizëm-islam është i gënjeshtërt

Ekuacioni i barazimit ndërmjet terrorizmit e islamizmit “është gënjeshtër dhe marrëzi”: kështu thotë Papa Françesku, në një intervistë për gazetën “L’Eco di Bergamo” (Jehona e Bergamos), duke kujtuar rolin e feve në promovimin e kulturës së takimit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmed muret dhe intolerancën ndaj emigrantëve, duke nënvizuar se “muret ngrihen nga frika, për të mos e parë vuajtjen e vëllait, që mund të shqetësojë; ngrihen për të mbrojtur gjithçka duhet ta ndajmë me të tjerët”. “Të ngresh një mur – thekson – do të thotë ta mbyllësh zemrën, ta vulosësh si varr. Nuk është vetëm çështje bujarie e solidariteti”.

Mikpritja e vërtetë, saktëson Papa, “nuk mund të mos jetë tjetër, veçse pa interes e me sakrifica”. Ati i Shenjtë pranon se këto janë tema për të cilat duhet punuar shumë akoma, pasi “duhet krijuar një mendësi e re, duhen edukuar brezat e rinj të mendojnë, ta shohin veten brenda një familjeje të vetme njerëzore e një bashkësie pa kufi”.

Papa çon letër për festën kombëtare të Argjentinës

Të premten e kaluar, me rastin e festës kombëtare të Argjentinës, Papa Françesku i çoi një letër presidentit të vendit, Mauricio Macrì. Pasi përshëndet gjithë popullsinë, Ati i Shenjtë shkruan: “I lutem Zotit, Hyut tonë, që përmes Virgjërës së Lujanit, të japë dhurata e nevojshme për ndërtimin e një shoqërie gjithnjë e më të drejtë, vëllazërore e solidare”.

“Të varfërit e Papës”, në Golden Gala të atletikës, më 31 maj

 E ashtuquajtura “Curva Sud” (Kurba e Jugut, apo shkallët jugore) në Stadiumin Olimpik të Romës do t’u rezervohet të varfërve, të pastrehëve, refugjatëve, emigrantëve dhe nevojtarëve, që do t’i përgjigjen ftesës së Lëmoshtarisë Apostolike për të marrë pjesë, pasditen e 31 majit, në Golden Gala, manifestim i rëndësishëm ndërkombëtar i atletikës së lehtë.

“Nisma – lexohet në një komunikatë të Lëmoshtarisë – u bë e mundur falë Federatës Italiane të atletikës së lehtë, e cila ka rezervuar falas vendet për ‘të varfërit e Papës’, që do të shoqërohen nga vullnetarët e Bashkësisë së Shën Egjidit, nga Kooperativa Auxilium dhe nga Athletica Vaticana, përfaqësia e maratonomakëve të punonjësve të Selisë së Shenjtë”. “Objektivi – shpjegohet më pas – është të ofrohet një mbrëmje feste e miqësie, përmes bukurisë së një sporti universal e të thjeshtë si atletika, për t’u dhënë hov vlerave të mikpritjes dhe të solidaritetit”. Të ftuarve do t’u jepet edhe një qese me ushqime për darkën.

“ACS” vendos gurin e parë për 97 shtëpi në Siri

Festë në katedralen siro-ortodokse Um al Zehnar të Homsit, në Siri, ku ditë më parë, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS) u dorëzoi gurin e parë pronarëve të 97 banesave të reja të krishtera, të cilat do të ndërtohen me një kontribut prej 300 mijë eurosh. Në gur shkruhet “Jezusi është shkëmbi im”.

Homsi, lexohet në komunikatën e Fondacionit, është qyteti i tretë më i rëndësishëm i Sirisë, pas Damaskut dhe Halebit, i cili, gjatë viteve të para të konfliktit, ka qenë teatër i ndeshjeve ndërmjet rebelëve dhe forcave lealiste. Shumë të krishterë e kanë braktisur qytetin për arsye sigurie, ose sepse u janë prishur shtëpitë. Pronarët e 97 ndërtesave të reja u përkasin denominacioneve të ndryshme të krishtera: maronitë, greko-melkitë, greko-ortodoksë dhe siro-ortodoksë. Shtëpitë do të jenë gati para se të mbarojë vera.

Patriarku ekumenik Bartolomeu: dialogu, përgjigjia për fondamentalizmin

 Dje, në Vatikan, dita e tretë e punimeve të konferencës ndërkombëtare të Fondacionit Centesimus Annus – pro Pontifice, me temë: “Debat mbi politikat dhe stilet e reja të jetës në epokën dixhitale”. Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu foli mbi “agjendën e krishterë për të Mirën e Përbashkët”, në një seancë kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Konferenca, që u organizua me rastin e 25-vjetorit të Fondacionit, filloi më 24 maj e përfundoi dje, me audiencën e pjesëmarrësve tek Papa Françesku. “Dialogu – nënvizoi Patriarku, duke iu referuar ekumenizmit - është element themelor i marrëdhënieve ndërpersonale, që, pastaj, sjell hapa të tjera në favor të gjithçkaje njerëzore”.

27 maj 2018, 09:00