Papa Françesku Papa Françesku 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Selisë së Shenjtë

Dokumenti i ri i Selisë së Shenjtë mbi ekonominë e financën, takimi i Papës Françesku me ipeshkvijtë e Kilit e lajme të tjera nga veprimtaria e Papës dhe e Selisë së Shenjtë, por edhe lajme nga Kisha në botë.

R.SH. - Vatikan

“Asnjë fitim nuk është i ligjshëm, nëse mungon horizonti i promovimit të gjithanshëm të njeriut, i destinacionit universal të të mirave materiale dhe i opcionit preferencial për të varfërit”. E kujton këtë, dokumenti i ri i Selisë së Shenjtë mbi ekonominë e financën, që u paraqit javën e kaluar. “Ҫdo përparim i sistemit ekonomik – lexohet në tekst – nuk mund të konsiderohet i tillë, nëse matet vetëm me parametrat e cilësisë e të frytshmërisë së fitimeve. Duhen pasur parasysh edhe cilësia e jetës dhe mirëqënia, që ky përparim sjell për të gjithë e që nuk kufizohet vetëm në aspekte materiale”.

 

         Papa Françesku u kërkoi ipeshkvijve të Kilit, me të cilët u takua për disa ditë në Vatikan, “ndryshime rrënjësore dhe zgjidhje me afat të shkurtër, të mesëm e të gjatë, të nevojshme për të rivendosur drejtësinë dhe bashkimin kishtar”, pas mungesave të rënda në trajtimin e çështjeve të abuzimeve në vend. Pas bisedimeve, që përfunduan të enjten, të gjithë anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore të Kilit dhanë dorëheqjen, duke e dorëzuar mandatin e tyre në duart e Papës, që të vendosë lirisht për ta. Ati i Shenjtë u kërkoi ta shqyrtojnë sinqerisht gjendjen dhe faktet, që e kanë dobësuar Kishën e viteve të fundit në Kili. E ipeshkvijtë kërkuan publikisht falje për dhimbjen, që u shkaktuan viktimave, vetë Papës, Popullit të Zotit dhe vendit të tyre.

 

         Nga Rripi i Gazës, dëshmia e një famullitari, atë Mario Da Silva, pas zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jeruzalem e pas ndeshjeve të palestinezëve me policinë. “Dhuna e urrejtja – nënvizon famullitari – lindin edhe nga kushtet e padrejtësisë, në të cilat jeton popullsia. Urgjentisht, duhet zgjidhur problemi i varfërisë, që e ngacmon edhe më shumë popullsinë e rraskapitur aq shumë, sa të zemërohet në kulm”. Pikërisht mbrëmë, në të gjitha kishat katolike, në prag të Rrëshajëve, të krishterët u lutën për paqen në Gazë e në Tokën Shenjte.

 

         Në rajonet anglofone të Kamerunit, po ushtrohet “dhunë çnjerëzore, e verbër, e përbindshme e po radikalizohen qëndrimet”: këtë deklaratë e bëjnë ipeshkvijtë e vendit, të cilët shprehin shqetësimin e tyre të thellë për krizën shoqëroro-politike në dy rajone, ku diskriminohet 20 % e popullsisë. Në tetor 2016, ato janë deklaruar të pavarura nga qeveria qendrore e kjo ka shkaktuar ndeshje të vazhdueshme me forcat qeveritare, gjatë të cilave kanë gjetur vdekjen 150 vetë, 160 mijë të tjerë janë detyruar të shpërngulen e rreth 26 mijë vetë kanë ikur në Nigeri.

20 maj 2018, 08:30