Papa Françesku Papa Françesku 

Veprimtaria e Papës Françesku deri në gusht

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të ditur kalendarin e vizitave të ardhshme baritore, të takimeve dhe të kremtimeve papnore gjatë muajve të verës.

R.SH. - Vatikan

Sipas kalendarit të njoftuar nga Salla e Shtypit të Vatikanit, të dielën e ardhshme, më 3 qershor, kur e gjitha Kisha Katolike kremton festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, Papa Françesku do të shkojë në Ostia, në orën 18.00, për meshën, procesionin dhe bekimin eukaristik. Është veprimtaria e parë e Papës gjatë muajit qershor. Më pas, më 21 qershor, Ati i Shenjtë do të bëjë një shtegtim ekumenik në Gjenevë, ndërsa më 28 të po atij muaji, në Bazilikën e Vatikanit, në orën 16.00, do të kryesojë Koncistorin e Zakonshëm Publik për krijimin e kardinajve të rinj. Më 29 qershor, në solenitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 9.30, Papa do të kryesojë meshën me bekimin e paliove për kryeipeshkvijtë metropolitë.

Bari e Dublini në agjendën e Papës

         Muaji i korrikut hapet të shtunën, në datën 7, me pjesëmarrjen e Papës në Takimin ekumenik të lutjes për paqen në Lindjen e Mesme, organizuar në Bari të Italisë. Së fundi, në gusht, më 25 e 26 gusht, Udhëtimi Apostolik i Atit të Shenjtë në Dublin, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve.

29 maj 2018, 12:48