Kërko

 Papa Françesku  dhe Zoja Lurdë në Kopshtet e Vatikanit Papa Françesku dhe Zoja Lurdë në Kopshtet e Vatikanit 

Rruzarja, lutja e zemrës për Papën

Përfundon sot maji, muaj marian, kushtuar Zojës. Si çdo vit në Kopshtet e Vatikanit do zhvillohet procesioni me qirinj ndezur, nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, deri tek Shpella e Lurdës.

R. SH. - Vatikan

Një nga kremtimet më prekëse mariane të të gjithë vitit - ky i ditës së fundit të majit të Zojës. Me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve, mbledhur për të thënë së bashku Rruzaren, në të gjitha kishat, që i kushtohen Nënës së Krishtit. Shprehje e gjallë e devocionit popullor marian.

“Kultivojeni devocionin ndaj Zojës, me Rruzaren e përditshme, që ashtu si Nëna e Zotit, duke i mirëpritur misteret e Krishtit në jetën tuaj, të mund  të jeni përherë e më shumë dhuratë dashurie për të gjithë”. Kjo, porosia e Papës në audiencën e përgjithshme të 9 majit të kaluar, kur i ftoi besimtarët të luten posaçërisht për Sirinë.

Shiko videon e Rruzraes në Vatikan

Devocioni marian i Papës

Si gjithë paraardhësit, Françesku e ka shprehur gjithnjë dashurinë e tij për Marinë.  Menjëherë pas zgjedhjes, ia besoi shërbesën e tij papnore Zojës Salus Popoli Romani, në Bazilikën  e Shën Marisë së Madhe, në Romë. Pa harruar se e bëri të njohur në mbarë botën, figuren e  “Zojës, që zgjidh nyjet”.

Maria, varka e sigurt në përmbytje

Papa i drejton vazhdimisht Marisë lutje nga më prekëset. Për shembull, gjatë nderimit të Zojës së Papërlyer, në Sheshin e Spanjës, Françesku e nënvizon përherë ndihmën që Nëna na e jep të gjithëve, për t’i kapërcyer vështirësitë e jetës. E, në homelinë e festës së mbartjes të ikonës Salus Popoli Romani, janarin e kaluar, Françesku e kujtoi kështu Marinë: “Sa herë zemra shndërrohet në det të stuhishëm e dallgët malore të problemeve përplasen mbi jetët tona, të rrahura nga erëra shqetësimesh, që shfryjnë me tërbim, Maria është barka e sigurt në mes të përmbytjes”.

Gruaja e dëgjimit

Në përfundim të muajit marian 2013, duke thënë Rruzaren në shesh, Françesku pati shqiptuar këtë lutje:

“Mari, grua e dëgjimit, na i hap veshët e na e jep hirin  ta dëgjojmë Fjalën e Birit tënd, Jezus, ndërmjet mijëra fjalëve, që thuhen në këtë botë. Hirin të dimë ta dëgjojmë, në realitetin tonë, çdo njeri me të cilin takohemi, posaçërisht më të varfërin, më nevojtarin, më të mjerin.

Mari, grua e vendimit, ndriçoje mendjen e zemrën tonë, që të dimë t’i bindemi Fjalës së Birit tënd Jezus pa asnjë luhatje; na e jep guximin e vendimit e mos lejo që të tjerët të na zvarrisin, duke e drejtuar jetën tonë.

Mari, grua e veprimit, bëji këmbët tona të vrapojnë, për t’u çuar, ashtu si Ti, të tjerëve, dashurinë e Birit tënd Jezus - e botës, dritën e Ungjillit. Amen”.

31 maj 2018, 13:52