Kërko

Imzot Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e fesë Imzot Ladaria Ferrer, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e fesë 

Prefekti i Fesë, Ladaria: gratë s’mund të jenë meshtare

Një artikull i kardinalit të ri Ladaria shpjegon qëndrimin e Gjon Palit II, në përkim me traditën e përhershme të Kishës, që nuk do të ndryshojë.

R.SH. - Vatikan

Titulli i artikullit nuk të lë dyshime: “Karakteri përfundimtar i doktrinës mbi ‘Ordinatio sacerdotalis’. Përsa i përket disa dyshimeve”. Firma në gazetën “L’Osservatore Romano” është e kardinalit të ri Luis Ladaria, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e fesë, i cili shpjegon se përjashtimi i meshtarisë për gratë në Kishën Katolike është vendim, që nuk ndryshohet.

Krishti ka shuguruar vetëm meshkuj

         Duke kujtuar se “meshtarët i shembëllejnë Krishtit meshtar, në mënyrë që të veprojnë në emër të Krishtit, Kreut të Kishës” dhe se “Krishti deshi t’ua japë këtë sakrament dymbëdhjetë apostujve, të gjithë burra, që, edhe ata, ua përcollën burrave të tjerë”, kardinali i ardhshëm, Ladaria, nënvizon se Kisha ka pasur gjithnjë si cak “këtë vendim të Zotit, i cili përjashton shugurimin e vlefshëm meshtarak  për gratë”.

Papa Gjon Pali II dhe Letra apostolike “Ordinatio sacerdotalis”

         Papa Gjon Pali II, në Letrën apostolike “Ordinatio sacerdotalis” të 22 majit 1994, shkruar pas vendimit të Kishës anglikane për t’ua hapur dyert grave meshtare, ushtroi magjisterin e tij për të shuar “çdo dyshim mbi këtë çështje me rëndësi të madhe, që ka të bëjë me vetë themelimin hyjnor të Kishës”. “Kisha – mëson Papa shenjt – në asnjë mënyrë, nuk ka pushtet t’u japë grave shugurimin meshtarak e ky vendim duhet konsideruar përfundimtar nga të gjithë besimtarët”.

Papa Françesku: fjala e fundit është e Gjon Palit II

         Kongregata për Doktrinën e Fesë u përgjigjet dyshimeve mbi mësimin vojtilian, duke nënvizuar se kjo është një e vërtetë, që i përket trashëgimisë së fesë. “Në këtë dritë – shkruan kryeipeshkvi Ladaria – krijohen shqetësime serioze kur, në disa vende, ngrihen zëra, që vënë në diskutim këtë doktrinë përfundimtare. Për të mbështetur tezën se ajo nuk është përfundimtare, argumentohet se nuk është thënë ‘ex cathedra’ e se ndonjë vendim i mëvonshëm i një Pape të ardhshëm apo i ndonjë koncili mund ta ndryshojë. Këto dyshime krijojnë pështjellim të madh ndërmjet besimtarëve, jo vetëm mbi sakramentin e urdhërit si pjesë e themelimit hyjnor të Kishës, por edhe mbi magjisterin e zakonshëm, që mund të mësojë në mënyrë të pagabueshme doktrinën katolike”.

         Në konferencën e shtypit, gjatë udhëtimit të kthimit nga Suedia, më 1 nëntor 2016, Papa Françesku nënvizoi: “Përsa i përket shugurimit të grave në Kishën Katolike, fjalën e fundit të qartë e ka thënë shën Gjon Pali II e, ajo mbetet”.

30 maj 2018, 13:38