Kërko

Papa: të mbështetet ungjillëzimi, me Veprat Papnore Misionare

U hap sot paradite, në Vatikan, Asambleja e Veprave Papnore Misionare, në të cilën Papa mori pjesë me një videomesazh. Përmes tij, shpjegon çfarë janë këto vepra: “Realitet i rëndësishëm për misionin e Kishës, por pak i njohur”.

R. SH. - Vatikan

 Angazhimi i ungjillëzimit - pohon Papa në videomesazh - “i zgjeron hapësirat e fesë e të dashurisë së krishterë, deri në skajet më të largëta të tokës”.

Themelimi, pothuajse 200 vjet më parë, i Veprave Misionare, me synimin për t’u lutur e për të vepruar në mbështetje të tyre - kujtoi në vijim - i dha një nxitje të re kumtimit të Krishtit si dhe njohjes së tyre si Papnore nga ana e Piut XI. Kjo tregoi sesa e kish për zemër Pasardhësi i Shën Pjetrit misionin drejt gjithë popujve. E sot, njëlloj si atëhere.

Vlera e këtyre Veprave

Por, pse këto Vepra, të pranishme sot në më se 120 vende, janë kaq të rëndësishme? Kryesisht sepse - shpjegoi Françesku - duhet të lutemi për misionarët e misionaret. Lutja është vepra e parë misionare - e para - që duhet ta bëjë çdo i krishterë! E është edhe më frytshmja. Pa harruar se ungjillëzimin e çon përpara Shpirti Shenjt.

Së dyti, duhet kujtuar se Veprat Misionare garantojnë, në emër të Papës, shpërndarjen e drejtë të ndihmave, në mënyrë që të gjitha Kishave në botë të mos u mungojë sadopak mbështetje.

Të lutemi e t’i ndihmojmë misionarët

Françesku i inkurajon të gjithë të bashkëpunojnë me këto Vepra. Duke e bërë këtë - përfundon - Kisha vijon t’ua hapë dyert e zemrat të gjithëve e ta kumtojë me gëzim Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit, Shëlbuesit të Botës!”.

 

28 maj 2018, 17:43