Kërko

 Papa gjatë audiencës së përgjithshme Papa gjatë audiencës së përgjithshme 

Papa: ta lëmë Shpirtin të na formojë, për të sjellë Krishtin

Audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa ia kushtoi përsëri Krezmimit. Gjatë përshëndetjeve, disa atletë të Taekwondos, nga Koreja e Jugut, veshur bardh e zi, dhanë një shfaqje të vogël para Papës. Ati i Shenjtë i falënderoi për këtë mesazh paqeje, drejtuar mbarë njerëzimit.

R. SH. Vatikan

“Shpirti Shenjt, që e marrim me krezmimin, është dhuratë e pamerituar, prej këndej, duhet ta lëmë Shpirtin e Zotit të na formojë, për ta pasqyruar Jezusin në botën e sotme”. Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar përsëri Sakramentit të Krezmimit, në kuadrin e reflektimeve, që vijon t’ua kushtojë Sakramenteve. Sot vuri theksin mbi lidhjen e ngushtë të këtij Sakramenti me të gjithë fillesën e jetës së krishterë.

Vendosja e duarve

Ata që krezmohen janë të thirrur të përsërisin premtimet e bëra një ditë nga prindërit e nunët. Tani është radha e tyre. Duhet ta dëshmojnë ata vetë fenë e Kishës e t’u përgjigjen me fjalën “besoj!”, pyetjeve, që u bën ipeshkvi, i cili, duke i mbajtur duart të shtrira mbi ata, që krezmohen, e lut Zotin ta dikojë mbi ta Shpirtin e Tij Shenjt Ngushëllues.

Shpirti Shenjt, autor i larmive e Krijues i unitetit

Larmia dhe uniteti janë karakteristikat e Tij. Nga njëra anë po ai Shpirt shpërndan dhuratat e dijes, intelektit, këshillës, qëndresës, shkencës, mëshirës dhe druajtjes së shenjtë. Dhurata, për të cilat folën Isaia profet  e Shën Pali. Është, pra, “Autor i larmive” e, njëkohësisht, edhe “Krijues i unitetit”.

Kështu Shpirti Shenjt  t’i jep të gjitha pasuritë, që janë të ndryshme, por në të njëjtën mënyrë, krijon edhe harmoninë, domethënë, unitetin e të gjitha këtyre pasurive shpirtërore, që kemi ne, të krishterët.

Vula a bagmit mbi ballë

Vjen, pastaj një gjest tjetër i Ipeshkvit, përveç vendosjes së duarve mbi ata që krezmohen: lyerja e ballit me vaj erëmirë, me bagmin shenjt.

Dhuratë e pamerituar e Shpirtit, që duhet pranuar me mirënjohje, duke i krijuar gjithë hapësirën e duhur, frymës së Tij të pashterrshme krijuese. Dhuratë, që duhet ruajtur me kujdes të madh e duhet ndjekur me bindje, duke e lënë të na formojë, si formohet qiriu, me dashurinë e tij të zjarrtë, “për ta pasqyruar Jezu Krishtin në botën e sotme”.

Bagmi merret për të shprehur veprimin e Shpirtit Shenjt, pikërisht për veçoritë shëruese e kozmetike. Është, pra, vulë e padukshme e kësaj dhurate të padukshme. E me këtë shenjë, i krezmuari merr “një vulë të pashlyeshme shpirtërore”, “karakterin” - nënvizoi Papa - që e bën t’i shëmbëllejë më përsosurisht Krishtit dhe i jep hirin ta përhapë mes njerëzve, parfumin e Tij të këndshëm.

Shfaqja e Taekwondos: mesazh i paqes

Pas katekizmit, u dha një shfaqje e vogël nga disa sportistë jugkoreanë të Federatës së Taekwondo. Në përfundim, miqtë nga Koreja e Jugut, veshur bardh-e-zi, lëshuan një pëllumb të bardhë dhe shpalosën parrullën domethënëse: “Paqja është më e çmuar se triumfi”. E Françesku, si i ndoqi me kënaqësi, u drejtoi një  përshëndetje shumë të përzemërt:

“I falënderoj atletët koreanë për shfaqjen e tyre: ishte manifestim i vullnetit për paqe, mesazh paqeje për mbarë njerëzimin".

100-vjetori i rifitimit të pavarësisë së Polonisë, në Lednica

Gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve polakë, Françesku kujtoi takimin e së shtunës së ardhshme në Lednica: “Duke kremtuar, në Lednica, 100-vjetorin e rifitimit të pavarësisë së Atdheut tuaj, siç bënte zakonisht Shën Gjon Pali II - përfundoi - putheni edhe në emrin tim, tokën polake”.

 

 

30 maj 2018, 16:07