Kërko

Papa Françesku me mitropolitin ortodoks Rastislav Papa Françesku me mitropolitin ortodoks Rastislav 

Papa, Primatit ortodoks sllovak: bashkim si martirët e fesë

Ta dëgjojmë Shpirtin Shenjt që të vazhdojmë ungjillëzimin, duke kërkuar së bashku paqen dhe unitetin. Kështu tha sot Papa Françesku në takimin e Primatin e Kishës ortodokse në Tokat Ҫeke e në Sllovaki, mitropolitin Rastislav.

Redaksia shqipe/Benedetta Capelli - Vatikan

Janë shenjtorët Cirili e Metodi - “pararendës të vërtetë të ekumenizmit”, siç i ka quajtur shën Gjon Pali II – në qendër të reflektimit të Papës Françesku, në audiencën e sotme me Primatin e Kishës ortodokse në Tokat Ҫeke e në Sllovaki. Zgjedhur në krye të njërës nga 14 Kishat e traditës bizantine në vitin 2014, mitropoliti Rastislav e takon për herë të parë Papën e Romës.

Së bashku për paqen

Duke theksuar “lidhjet shpirtërore” ndërmjet dy Kishave, Papa nxit të vijohet njohja e mbështetja e ndërsjelltë, si edhe kërkimi i përbashkët i paqes, dhuratë e Krishtit të Ringjallur. Njëra nga këto lidhje përfaqësohet nga Bazilika e Shën Klementit, në Romë, ku ndodhet varri i shën Cirilit, Apostullit të Sllavëve, “predikimi i të cilit – nënvizon Papa – e përhapi fenë në tokat ku shërben Kisha juaj”.

Persekutimet fetare na kërkojnë të bashkohemi

Duke u nisur nga dorëzimi i relikeve të shën Klementit, që shenjtorët Cirili e Metodi ia dhanë Papës Adriani II, Ati i Shenjtë thekson se të krishterët kanë gjithnjë nevojë të ndajnë së bashku “trashëgiminë e jashtëzakonshme të shenjtërisë”. Është fjala edhe për dëshmitarë të Krishtit, që në të kaluarën e tokave çeke e sllovake, e kanë paguar besnikërinë ndaj Ungjillit me “persekutimin ateist”.

Edhe sot, vuajtjet e shumë vëllezërve e motrave të persekutuara për shkak të Ungjillit – ngre zërin Papa Françesku – janë thirrje urgjente, që na nxit të kërkojmë bashkim më të madh. Shembulli i shenjtorëve Cirili e Metodi nxjerrtë në pah këtë trashëgimi shenjtërie, e cila na bashkon që tani!

Udhë të reja e të guximshme për ungjillëzimin

Papa Françesku nënvizon se apostullimi i dy vëllezërve shenjtorë është edhe sot model ungjillëzimi, sepse të dy qenë të aftë ta mishëronin Ungjillin e përkthyer në një gjuhë të kuptueshme për kulturën e popujve sllavë të Moravisë së Madhe.

Për ta kumtuar Zotin – vëren Ati i Shenjtë – nuk mjafton të ripohohen skemat e së kaluarës, por duhet të vihemi në dëgjim të Shpirtit Shenjt, i cili frymëzon gjithnjë udhë të reja e të guximshme për ungjillëzimin e bashkëkohësve. E bën këtë edhe sot, edhe në vendet tradicionalisht të krishtera, shpesh, karakterizuar nga shekullarizimi dhe indiferenca.

Të mos shkurajohemi në udhën drejt bashkimit

“Bashkim – pohon Papa – nuk do të thotë uniformim, por pajtim i larmive nën Shpirtin Shenjt”, prandaj, duhet inkurajuar puna e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, që të arrihet “bashkimi i plotë, drejt të cilit ecim” të gjithë.

Dëshmia e shenjtorëve Cirili e Metodi na shoqëroftë përgjatë udhës drejt unitetit të plotë, duke na nxitur ta jetojmë këtë larmi në bashkim me njëri-tjerin, pa u shkurajuar kurrë në rrugën, të cilën jemi të thirrur ta përshkojmë për vullnet të Zotit e me gëzim.

Në përshëndetjen e tij, Primati ortodoks Rastislav kujtoi se megjithëse nuk e thyejmë Bukën së bashku, mund të ecim së bashku njëri përkrah tjetrit, “në këtë botë bashkëkohore plot travajë, ku të krishterët persekutohen sërish, sidomos në Lindjen e Mesme”, ku “miliona njerëz detyrohen t’i lënë shtëpitë nga frika e persekutimit, të vuajnë nga varfëria, sëmundjet, ushqimi i keq e, ku shumë të tjerë i kanë humbur rrënjët, shpresën dhe fenë e krishterë”.

11 maj 2018, 18:36