Papa, në takimin me drejtuesit dhe personelin e Kuesturës së Romës dhe të Drejtorisë qendrore të Shëndetësisë Papa, në takimin me drejtuesit dhe personelin e Kuesturës së Romës dhe të Drejtorisë qendrore të Shëndetësisë 

Papa: për të bërë mirë, përdoret dialekti i familjes

Duke pritur në Sallën Pali VI, në Vatikan, personelin e Kuesturës së Romës e të Drejtorisë qendrore të Shëndetësisë, Papa Françesku interpreton ndryshimet e thella të kohës sonë dhe siguron se Kisha u qëndron pranë familjeve, në kriza e dhimbje.

R.SH. - Vatikan

Një komb nuk mund të mbahet në këmbë, nëse familjet nuk i edukojnë fëmijët të jenë qytetarë “besnikë e të ndershëm”, si edhe nëse nuk u transmetojnë atyre një fe të sinqertë, bazuar mbi “lutjen e përvuajtur, të thjeshtë e plot shpresë” e mbi gëzimin, që vjen nga “harmonia e thellë ndërmjet njerëzve”. Ky, reflektimi i Papës Françesku, ndërsa pret në Sallën Pali VI, në Vatikan, drejtuesit dhe personelin e Kuesturës së Romës dhe të Drejtorisë qendrore të Shëndetësisë, së bashku me familjarët dhe të afërmit e viktimave “të terrorizmit e të detyrës”, rreth 6 mijë vetë.

Shëndeti i mirë i familjes, vendimtar për botën e për Kishën

         Papa vë në dukje se familja është “bashkësia e parë, ku mësojmë si të duam” e, njëkohësisht, edhe “vend i privilegjuar për transmetimin e fesë e për të praktikuar të mirën”.

         Këto gjëra, feja, dashuria, të bësh mirë, mësohen vetëm në dialekt, në dialketin e familjes, në një gjuhë tjetër nuk kuptohen – përsëriti Papa një koncept, që e ka përmendur edhe herë të tjera. – Mësohen në dialekt, në dialektin e familjes. Shëndeti i mirë i familjes është vendimtar për të ardhmen e botës e të Kishës, duke pasur parasysh edhe sfidat e shumta dhe vështirësitë, që paraqiten sot në jetën e përditshme. Vërtet, kur hasim një realitet të hidhur, kur ndjejmë dhimbje, kur na prek përvoja e së keqes ose e dhunës, është familja, në bashkimin e saj të jetës e të dashurisë, që kupton gjithçka e ku mund të kalohet gjithçka.

Kombet mbahen mbi vlerat e transmetuara nga familjet

         Duke komentuar epokën, që jetojmë sot, Papa vëren ndryshimet e thella, që e karakterizojnë.

         E provoni vazhdimisht në punën tuaj, si gjatë hetimeve, ashtu edhe në rrugë, sidomos në një qytet si Roma. E përvoja familjare ju ndihmon edhe në këtë, sepse ju jep ekuilibër, urti, vlera referimi. Familja e mirë transmeton edhe vlera qytetare, edukon të ndjehemi pjesë e shoqërisë, të sillemi si qytetarë besnikë e të ndershëm. Një komb nuk mund të mbahet në këmbë, nëse familjet nuk e kryejnë këtë detyrë. Edukimi i parë qytetar merret ‘në dialekt’, në familje.

Lutja e policit

         Në përpjekjet për të ecur në këtë udhë, na ndihmon Jezusi, thotë Papa. Krishti i shoqëron familjet me mëshirën e Tij dhe i shenjtëron në dashuri, sillet me ta siç bën nëna: me ëmbëlsi, përkëdhelje, përqafime. “Mos e humbi këtë dhembshuri”, kërkoi Papa, i cili siguroi se edhe Kisha u qëndron afër tani e gjithmonë, familjeve në vështirësi. Në përfundim, lutja e një polici, thënë me muzikë, kushtuar Pajtorit të Armës së Policisë, shën Mikelit Kryeengjëll, si edhe bekimi e nxitja e Papës për të pasur “guxim, butësi e mëshirë”.

25 maj 2018, 16:30