Papa Françesku viziton bashkësinë e Nomadelfias Papa Françesku viziton bashkësinë e Nomadelfias 

Papa në Nomadelfia: botës që s'do Krishtin, t’i japim Ungjillin

Papa, për vizitë në bashkësinë e Nomadelfias, lindur në vitin 1947 me impenjimin e don Zeno Saltinit, u lut mbi varrin e themeluesit, pastaj, përqafoi familjet dhe u takua me realitetin e Maremës toskane në Itali.

Giada Aquilino - Vatikan

         Janë “ngrohtësia” dhe “atmosfera familjare”, që e prekin Papën Françesku, gjatë vizitës në bashkësinë e Nomadelfias, themeluar në vitin 1947 nga don Zeno Saltini, në provincën e Grosseto-s, në Itali. Papa mbërriti sot pak pas orës 8.00, i pritur nga ipeshkvi i qytetit, nga famullitari e nga presidenti i realitetit mareman. Pasi përshëndeti banorët e qytezës, Ati i Shenjtë shkoi të lutet mbi varrin e themeluesit, don Saltini, i cili ndërroi jetë në vitin 1981. Ndërsa dëgjonte një regjistrim audio të testamentit shpirtëror të don Zenos, Papa vendosi një gur me emrin e tij, që u shtohet atyre të lënë nga nomadelfët. Më pas, përqafimi me një grup familjar, të cilit Ati i Shenjtë u besoi dy fëmijë, në frymën e Nomadelfias, ku vogëlushët janë të të gjithëve e jo vetëm të familjes së tyre. Me një fëmijë të qytezës në papamobil, Papa u takua me bashkësinë e mori pjesë në festën e të rinjve, që e pritën me muzikë e këngë, me valle e koreografi.

Realiteti profetik i Nomadelfias

         Françesku e quajti Nomadelfian “realitet profetik, që dëshiron të realizojë një qytetërim të ri, duke e zbatuar Ungjillin si formë të jetës së mirë e të bukur”. Kujtoi figurën e themeluesit, që iu përkushtua këtij realiteti, pavarësisht nga vështirësitë.

         Ligji i vëllazërimit, që karakterizon jetën tuaj,ka qenë ëndrra dhe objektivi i gjithë jetës së don Zenos, i cili dëshironte një bashkësi të frymëzuar nga modeli i përvijuar në Veprat e Apostujve, ku thuhet kështu: ‘Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të vetën çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët’. Ju nxis ta vazhdoni këtë stil jetese, duke u mbështetur në forcën e Ungjillit e në Shpirtin Shenjt, duke dhënë dëshminë tuaj të pastër të krishterë.

Për fëmijët, gjuhë dashurie

         Para vuajtjeve të jetimëve, ose të fëmijëve me probleme, don Zeno, kujtoi Papa, e kuptoi se e vetmja gjuhë, që mund të përdorej me ta, ishte ajo e dashurisë

         Diti të gjejë një formë të veçantë shoqërie, ku nuk ka hapësirë për izolimin dhe vetminë, por ku mbretëron parimi i bashkëpunimit ndërmjet familjeve, anëtarët e të cilave e shohin njëri-tjetrin si vëllezër në fe. Kështu, në Nomadelfia, si përgjigje ndaj thirrjes së veçantë të Zotit, krijohen lidhje shumë të forta se ato farefisnore. Vihet në jetë lidhja e gjakut me Jezusin, tipike për atë, që është rilindur nga uji e nga Shpirti Shenjt e ndjek fjalët e Mësuesit Hyjnor: ‘Kush bën vullnetin e Zotit është për mua vëlla, motër e nënë.

Kujdesi për të moshuarit

         Papa Françesku vërejti se kjo lidhje gjaku me Krishtin ndikon në çdo sjellje e qëndrim në Nomadelfia, sidomos në kujdesin për të moshuarit. Edhe kur nuk gëzojnë shëndet të mirë, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ata mbeten në familje, të ndihmuar nga e gjithë bashkësia. “Para një bote, që nganjëherë u kundërvihet idealeve të predikuara nga Krishti, mos hezitoni të përgjigjeni me dëshminë e gëzueshme e të kthjelltë të jetës suaj, frymëzuar nga Ungjilli”.

Shija e Ungjillit

         Së fundi, Papa përshendeti bashkësinë e Nomadelfias, ndërsa fëmijët i dhuruan një gur tjetër, ku është shkruar emri i Françeskut, një libër me fotografi e vizatime e një libër me imazhet e don Zenos. E një çift të fejuarish, papritmas, e ndalën Atin e Shenjtë për një përqafim të fundit. Papa i bekoi, premtoi se do ta marrë me vete këtë “familje me shijen e Ungjillit” e u kërkoi nomadelfëve të luten për të.

10 maj 2018, 16:55