Kërko

Papa takohet me Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Mjekëve Katolikë Papa takohet me Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Mjekëve Katolikë 

Papa mjekëve katolikë: i sëmuri nuk është makinë për t’u ndrequr

Duke pritur një delegacion të Fiamc, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Mjekëve Katolikë, Papa Françesku i ftoi të jenë dëshmitarë të dashurisë vëllazërore dhe të mëshirës ungjillore.

R. SH. - Vatikan

“Dëshmi e krishterë, formë e veçantë e solidaritetit njerëzor, punë e pasuruar me frymën e fesë”. Kështu e quajti Papa profesionin e mjekut katolik, duke pritur, në Vatikan, një delegacion të Fiamc, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Mjekëve Katolikë, me rastin e kongresit të tyre me temë: “Shenjtëria e jetës dhe profesioni mjekësor, nga Humanae Vitae, tek Laudato sí”, që do të mbahet në Zagreb, më 30 maj - deri më 2 qershor.

Kisha është për jetën

“Të jesh mjek katolik, do të thotë edhe të angazhohesh në formimin shpirtëror, moral e bioetik, sipas parimeve ungjillore, pa lënë mënjanë - pohoi Papa -  marrëdhëniet mjek-pacient e as veprimtarinë misionare, për të përmirësuar kushtet e shëndetit të popullsive në periferitë e botës”.

Kisha është për jetën, e shqetësimi i Kishës është që asgjë e në asnjë rast të mos jetë kundër saj. Të jesh mjek katolik do të thotë të ndjehesh veprimtar shëndetësor që në fe e në bashkim me Kishën, merr shtytjen për ta fituar përherë e më shumë pjekurinë e formimit të krishterë e profesional, duke depërtuar gjithnjë më thellë në ligjet e natyrës, për t’i shërbyer më mirë jetës.

Besnikë ndaj misionit

Dëshmitarë koherentë e guximtarë: kështu i quajti Papa mjekët e shoqatës, që bashkëpunojnë gjithnjë me Kishën, për ta mbrojtur jetën njerëzore nga zënia, në perëndimin e saj të natyrshëm, duke respektuar më të ligshtit. Dhe i ftoi t’i kundërvihen  adhurimit të pushtetit njerëzor pa kufi dhe relativizmit praktik,  për të cilin “gjithçka bëhet pa pikë kuptimi, nëse nuk i shërben interesave personale”.

I sëmuri, para së gjithash, është njeri

Papa preku edhe temat delikate etike, si “ndërprerja e shtatzanisë, fundi i jetës dhe mjekësia gjenetike”, që duhen parë duke pasur parasysh gjithnjë respektimin e të sëmurit dhe të dinjitetit të tij. E duke qëndruar gjithnjë larg prirjes për ta konsideruar të sëmurin si makinë, që duhet riparuar, pa respekt për parimet morale, si dhe për t’i shfrytëzuar më të dobtit, duke skartuar çka nuk përkon me idelogjinë e frytshmërisë e të fitimit.

Liria e ndërgjegjes

Në zemër të Papës, një aspekt tjetër i veçantë: liria e ndërgjegjes së mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë.

“Nuk është e pranueshme që roli juaj të ngushtohet në atë të ekzekutuesit të thjeshtë të vullnetit të të sëmurit, ose të kërkesave të sistemit shëndetësor, në të cilin punoni”.

Mjeku katolik - nënvizoi në përfundim Papa - para së gjithash, është dëshmitar i fesë së jetuar, i aftë për të bashkëpunuar me realitetet kishtare, me atë që punon aty pranë e me të gjithë njerëzit, që vuajnë, duke u transmetuar të gjithëve, humanitetin e përdëllimin ungjillor.

28 maj 2018, 13:52