Kërko

 Caravaggio "Shiprti  e gjaku" Caravaggio "Shiprti e gjaku" 

Papa inkurajon të vijohen projektet si filmi i Caravaggios

Para audiencës së përgjithshme, Papës Françesku iu dhurua një kopje e “Thirrjes së Shën Mateut”, vepër e Caravaggios, realizuar nga Studioja umbre Tifernate, sjellë në Vatikan nga një delegacion i kryesisë së Sky e Mediave të Vatikanit, që bashkëpunuan në realizimin e filmit “Caravaggio, shpirti e gjaku”.

R. SH - Vatikan

Para audiencës së përgjithshme, Papës Françesku iu dhurua një kopje e “Thirrjes së Shën Mateut”, vepër e Caravaggios, realizuar nga  Studioja umbre Tifernate, sjellë në Vatikan nga një delegacion i kryesisë së Sky e Mediave të Vatikanit, që bashkëpunuan në realizimin e filmit “Caravaggio, shpirti e gjaku”.

Është një nga pikturat më të dashura nga Papa Françesku “Thirrja e Shën Mateut” e Caravaggios, që ndodhet në Kishën romake të Shën Luigjit të Francezëve, etapë e preferuar e kardinalit të asokohshëm Bergoglio, gjatë vizitave të tij romake. Sot paradite, në Shtëpinë e Shën Martës, para audiencës së përgjithshme, Françeskut iu dhurua një kopje e kryeveprës së Merisit, realizuar për këtë rast, nga Studioja Tifernate e Città di Castello, në provincën e Perugia-s, dhuruar nga themeluesi i saj, Stefano Lazari. Dhuruesi, së bashku me delegacionin e kryesisë së Sky e të Vatican Media, që punuan së bashku në filmin “Caravaggio, shpirti e gjaku”,  u pritën sot në Vatikan.

Takim prekës

“Privilegj i pamasë dhe emocion i madh”: Cosetta Lagani, përgjegjëse dhe drejtoreshë artistike e filmit të Sky, e përshkruan kështu takimin me Papën dhe bisedën e përqendruar rreth Mateut, të riut, që numëron me neps paratë e që, më pas, “shporohet” nga rrezja e dritës së Zotit. “Në filmin, që realizuam - shpjegon - e  paraqitëm Mateun sipas interpretimit të Françeskut, të cilit i folëm edhe për bashkëpunimin e bukur, që vijon prej një viti me Sekretarinë për Komunikimin, Vatican Media-t dhe me Muzetë e Vatikanit. “Caravaggio, shpirti e gjaku” është film i prodhuar nga Sky dhe Magnitudo Film, në bashkëpunim me Vatican Media, që pati sukses të madh në gjirin e publikut dhe në mendimin kritik, duke iu shtuar radhës së filmave artistikë të Sky, kushtuar artistëve të mëdhenj italianë. Një bashkëpunim Vatikan-Sky, nisur që më 2013 me filmin e parë artistik “Muzetë e Vatikanit”, në bashkëpunim me drejtorinë e Muzeve të Vatikanit, e vijoi me atë, kushtuar “Shën Pjetrit dhe Bazilikave Papnore të Romës”, më 2016-të, në bashkëpunim me Vatican Media, realizuar për Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës. Në vitin 2017, pastaj, së bashku me drejtorinë e Muzeve të Vatikanit,  u realizua “Rafaello - Princi i Artit”. Në dalje e sipër, në tetor, “Michelangelo-pafundësia”, realizuar në bashkëpunim me Muzetë e Vatikanit dhe me Vatican Media.

Vijoni udhën e nisur

Në takim - vijon Cosetta Lagani - Papa na inkurajoi të vijojmë me projektet që kemi nisur; projekte, të cilat e çojnë kulturën e bukurisë në mbarë botën, duke krijuar mundësinë që arti “të bëhet pronë e një publiku, i cili i përfaqëson të gjitha shtresat shoqërore”. Filmi, kushtuar Caravaggios, me 170 mijë spektatorë në kinema vetëm për 5 ditë, mbetet dokumentari artistik më i ndjekur ndonjëherë në Itali. E edhe në Meksikë gjatë dy ditëve që u shfaq, salla ishte e mbushur përplot.

Papa u prek nga historia e Emannuele Mariglianos

“I treguam Françeskut edhe historinë e Emanuele Mariglianos, që luan  në film Merisin në gjendjet e ndryshme shpirtërore. Krijon edhe një Shën Mate modern që, pas errësirës së verbër, shikon dritën verbuese. Është një djalosh nga Scampia - shpjegon Cosetta Lagani - me një të kaluar të vështirë, që regjisori i filmit, Jesus Garces Lambert, e zbuloi ndërsa regjistronte në Napoli. Ishte ndihmës-elektricist e jeta e kaluar i krijoi mundësinë t’i interpretojë në mënyrë krejt të natyrshme trazirat shpirtërore karavagjeske. Rast i jashtëzakonshëm për Emanuelin. Autorët e filmit, së bashku me Mediat e Vatikanit, mendojnë ta projektojnë filmin edhe ndër burgje, për të çuar edhe atje, mesazhin e bukurisë dhe të shpresës.

 

 

30 maj 2018, 18:22