Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa gjatë Meshës në Shën Martë Papa gjatë Meshës në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa i lutet Zojës së Sirakuzës: na e jep dhuratën e lotëve

Sot, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa e kremtoi Meshën në praninë e relikes së çmuar, ku ruhen lotët e Zojës së Sirakuzës.

R. SH. - Vatikan

Sot, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa e kremtoi Meshën në praninë e relikes së çmuar, ku ruhen lotët e Zojës së Sirakuzës.

Maria na dhashtë dhuratën e lotëve

Françesku nënvizoi vlerën e relikes dhe i drejtoi Zojës lutjen:

“E sollën nga Sirakuza reliken e lotëve të Zojës. Sot janë këtu e ne e lusim Zojën  të na japë ne e njerëzimit, dhuratën e lotëve, për të cilën ka shumë nevojë. Të na ndihmojë të qajmë: për mëkatet tona e për gjithë ato zezona, që e bëjnë të vuajë popullin e Zotit e bijtë e Zotit”.

Homazh Shën Gjon Palit II

Një shtatore allçie e Zojës nisi të lotojë në gusht të vitit 1953, në qytetin sicilian e, më 1994, Shën Gjon Pali II ia kushtoi asaj shenjtëroren, që vizitohet çdo vit nga më se një milion shtegtarë. “Lotët e Zojës” - pati thënë me atë rast Papa “i përkasin urdhërit të shenjave: dëshmojnë praninë e Nënës në Kishë e në botë. Një nënë qan kur i shikon bijtë të kërcënuar nga ndonjë e keqe, shpirtërore a fizike. Qan edhe Maria, duke marrë pjesë në vajin e Krishtit mbi Jeruzalem, në lotët e të Birit pranë varrit të Lazrit  a, në fund, në udhën e kryqit…

Mrekullia e Marisë

Historinë e lotëve të Zojës - vepër e një artisti sirakuzan - mbledhur në relike, e tregoi sot shkurtimisht  një murgeshë. Ngjarja ndodhi në vitin 1953, në një banesë të përvuajtur siciliane ku, një shtatore e Zojës së Papërlyer nisi të qajë me lot njeriu. Në shtëpi ishin bashkëshortët Angelo e Luçia, kjo e fundit, në muajin e gjashtë të shtatzanisë, e prekur nga një sëmundje e rëndë, me dhimbje të mëdha. Që nga çasti kur pa Zojën duke qarë, më 29 gusht 1953, nuk pati më asnjë trazim e shtatzania përfundoi  lumturisht ditën e Kritshlindjes.

Relikja

Murgesha tregoi edhe se në relike ruhen si pikatorja dhe garzat, që u përdorën nga  komisioni shkencor, për të verifikuar natyrën e lotëve, ashtu edhe lotët që mbetën e u mblodhën në një epruvetë, të mbyllur me zjarr, tashmë të kristalizuar. Motra foli edhe për dhuratën e kthimit të mjekut ateist, që i analizoi lotët, duke pohuar vertetësinë e tyre.

 

 

25 maj 2018, 16:17