Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Papa: feja duhet nisur nga çlirimi, jo nga detyrat

Në katekizmin e tretë të audiencës së përgjithshme kushtuar Urdhërimeve të Tënzot, Papa nënvizoi se Zoti më parë shpëton, në Detin e Kuq, e pastaj edhe kërkon, mbi Malin Sinai. Për t’i afruar të rinjtë tek krishterimi, nuk duhet të nisemi nga “detyrimet e angazhimet”, por nga dashuria e Atit, që është themeli i detyrimeve.

R. SH. - Vatikan

Jeta e krishterë është, mbi të gjitha, përgjigje plot mirënjohje, që i jepet një Ati bujar. Atit, që na çliron nga Egjipti, përmes Detit të Kuq e pastaj na dorëzon Rrasat me Dhjetë Urdhërimet, mbi Malin e Sinait. “Dekalogu nis nga bujaria e Zotit”.

“Zoti jep një herë, pastaj kërkon! Nuk kërkon kurrë, pa dhënë njëherë. Shpëton më parë. Më pas edhe urdhëron! Kështu është “Ati ynë”, shtoi Papa jashtë tekstit, duke u ndaluar gjatë tek rëndësia e deklaratës së parë të Zotit, që e lexojmë, sapo shfletojmë Librin e Daljes: “Unë jam Zoti, Hyji yt!”.

Zoti nuk kërkon kurrë, pa dhënë, nuk është i huaj

Zoti nuk është i huaj: është Zoti yt. Kjo i ndriçon të Dhjetë Urdhërimet, duke e zbuluar edhe sekretin e sjelljes së krishterë, sepse është e njëjta sjellje e Jezusit, që thotë: “Ashtu si më deshi Ati mua, ju desha edhe unë ju!”. Ati e deshi fort Krishtin, e Krishti ne, “me të njëjtën dashuri” – komentoi Papa, duke kujtuar Ungjillin e Shën Gjonit: “Ai nuk niset kurrë nga vetvetja, por gjithnjë nga Ati”. Shpesh herë veprat tona dështojnë, sepse ne nisemi nga vetvetja e jo nga mirënjohja - kujtoi Françesku.  E kush niset nga vetvetja, ku mbërrin? Tek vetvetja! Nga vetja - tek vetja, i paaftë për të bërë udhë - u shpjegoi Papa besimtarëve.

 Jeta e krishterë është, sidomos, përgjigje mirënjohëse Atit bujar, e jo seri detyrash

“Vënia e ligjit para marrëdhënies, nuk e ndihmon udhën e fesë, sepse jeta e krishterë është, mbi gjithçka, përgjigje plot mirënjohje, që i jep njeriu Atit të fisëm e bujar. Nuk është aspak, siç mendon ndokush: varg e vistër detyrimesh!

Të jesh i krishterë, nuk do të thotë të kesh vetëm detyra për të kryer. Kush mendon kështu, nuk e  njeh përvojën e krishterimit. “Më duhet të bëj këtë e këtë e këtë…. Vetëm detyra… Por kur ke vetëm detyrime e ndjen se të mungon diçka. E doemos - vijoi Françesku, duke vijuar të flasë lirisht, jashtë tekstit zyrtar - nuk mund të mos lindë pyetja: “Cili është themeli i kësaj detyre?”. Duhet bërë kështu? Jo! Themeli i kësaj detyre është dashuria e Hyjit Atë, që jep një herë, pastaj edhe komandon”.

Dëshira e të riut për të qenë i krishterë

“E si mundet një i ri të dëshirojë të jetë i krishterë, nëse nisemi nga detyrimet e angazhimet, nga koherencat e shtrëngimet e jo nga nga  dashuria e nga çlirimi?” - pyeti Françesku, sipas të cilit “të jesh i krishterë, do të thotë të ecësh në udhën e çlirimit”. Urdhërimet të çlirojnë nga egozimi. Të çlirojnë, sepse ajo që të çon përpara, është vetë dashuria e Zotit - vijoi Papa, gjithnjë jashtë tekstit. - Formimi i krishterë - kujtoi - nuk bazohet mbi forcën e vullnetit, por mbi mirëpritjen e shëlbimit, mbi aftësinë për të dashur e, sidomos, për t’u dashur. Për ta lënë Zotin të na dojë.

“Një herë Deti i kuq, pastaj Mali i Sinait” - e përmblodhi Papa me dy fjalë katekizmin e sotëm. “Më parë shpëtimi: Zoti e shpëton popullin e vet në Detin e Kuq,  e, pastaj, rrëzë Malit Sinai, nga kaçuba e ndezur që, megjithatë  nuk digjet, i tregon edhe ç’duhet të bëjë. Por, ndërkaq, ky popull e di që këto sende i bën, sepse  shpëtoi. Është popull, të cilin e shpëtoi një Atë, që e do” – nënvizoi Papa në përfundim të katekizmit, ndjekur nga besimtarë, shtegtarë e turistë, që edhe sot ishin me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës për të ndjekur fjalën e  Françeskut e për të marrë edhe bekimin papnor.  

01 maj 2018, 14:09