Kërko

2018.05.27-Angelus-Domini 2018.05.27-Angelus-Domini 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Nuk mund të jesh i krishterë, nëse nuk i përket një populli

Nuk mund të jesh i krishterë, nëse nuk i përket një populli. Këtë nënvizoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës 27 maj 2018, festa e Trinisë Shenjte. Zoti dëshiron të ecë me njerëzimin-

R. SH.- Vatikan

Engjëlli i Tënzot: “Zoti dëshiron të ecë me njerëzimin”

Nuk mund të jesh i krishterë, nëse nuk i përket një populli. Këtë nënvizoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës 27 maj 2018, festa e Trinisë Shenjte. E, në përfundim të lutjes, kujtoi të Lumen e re, Leonella Sgorbati, rregulltare e vrarë nga fundamentalistët e Mogadishos, më 2006, pas manipulimit të fjalëve të Benediktit XVI në Regensburg.

Leximet e sotme biblike na lënë të kuptojmë - pohoi Papa Françesku - se Zoti nuk dëshiron aq të kujtojmë se Ai ekziston, sa se është “Zoti me ne”, që na do, interesohet për historinë tonë personale e kujdeset për secilin prej nesh, duke nisur nga më të vegjlit, më nevojtarët. Ai është Zoti “atje lart në qiell”, por “edhe këtu poshtë, në tokë”. Prandaj ne nuk besojmë në një qenie të largët, jo, indiferente, jo...përkundrazi, besojmë në dashurinë, që krijoi universin dhe lindi një popull, u mishërua, vdiq e u ngjall për ne, e si Shpirt Shenjt e shndërron gjithçka, duke e çuar drejt përsosurisë së plotë.

Shën Pali, që e provoi drejtpërdrejt këtë shndërrim të realizuar nga Zoti- Dashuri, “na komunikon dëshirën e Tij që të thirret Atë, madje “Baba”, sepse është Babai ynë e mund ta thërrasim kështu me besimin e fëmijës, i cili lëshohet në krahët e atij, që i dha jetën.

Shpirti Shenjt - kujton akoma Apostulli - duke vepruar në shpirtin tonë, bën që Jezu Krishti të mos reduktohet në një figurë të së kaluarës, por  ta ndjejmë fare pranë, ta kemi bashkëkohës e ta provojmë fort gjithë gëzimin, që buron nga vetëdija se jemi bij të dashur nga Zoti. Së fundi, në Ungjill, Zoti i ngjallur na premton se do të jetë me ne deri në fund të fundit të botës. E pikërisht falë kësaj pranie dhe forcës së Shpirtit të Tij, mund ta realizojmë qetësisht misionin që na e beson: t’ua kumtojmë e t’ua dëshmojmë të gjithëve Ungjillin e Tij. “Zoti - shtoi Papa duke folur lirisht – na mbush me gëzim e gëzimi është pakëz edhe gjuha e të krishterit”.

Pra festa e së Shenjtnueshmes Trini - shpjegoi akoma Françesku - na fton të kundrojmë misterin e një Zoti, që pambarimisht krijon, shëlbon e shenjtëron, gjithnjë me dashuri e për dashuri e çdo krijese, që e pranon, i dhuron pasqyrimin e një rrezeje të bukurisë, mirësisë e vërtetësisë së vet. Ai qysh në amshim zgjodhi rrugën e ecjes me njerëzimin dhe formoi një popull, që të ishte bekim për të gjitha kombet e për çdo njeri, pa përjashtuar askënd.

Prandaj detyra e çdo të pagëzuari është po ajo, që Jezusi ua pati besuar dishepujve të vet: “Shkoni  e bëjini dishepuj të gjithë popujt, duke pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Detyrë që, duke menduar për kuptimin e foljes “pagëzoj”, domethënë “zhyt”, mund ta përkthejmë me një ftesë. Ftesën  për ta zhytur çdo qenie njerëzore në këtë oqean, që është dashuria e Zotit; “dashuri, e cila të çliron nga mëkatet, t’i shëron plagët e shpirtit e të jep shëlbimin”. Prej këndej, i krishteri nuk është njeri i izoluar, “i përket një populli e nuk mund të jesh i krishterë pa këtë përkatësi e këtë bashkim”.

27 maj 2018, 17:18